
Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës Ina Zhupa zhvilloi një takim me operatorët turistikë detarë në Vlorë, ku u njoh nga afër me problematikat që po përballin në aktivitetin e tyre. Sipas Zhupës, sipërmarrësit ngritën shqetësime serioze që lidhen me mungesën e vendeve për ankorimin e anijeve turistike, mungesën e infrastrukturës për mjetet detare, problemet me energjinë elektrike dhe ujin, si dhe me procese gjyqësore të hapura për taksa që tashmë janë hequr nga vetë Bashkia Vlorë. Deputetja theksoi se këto situata po dëmtojnë zhvillimin e turizmit detar dhe ekonominë e qytetit, ndërsa paralajmëroi se do t’i drejtohet me kërkesa zyrtare Bashkisë Vlorë për të kërkuar transparencë dhe zgjidhje konkrete për operatorët turistikë.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Takim me operatorët turistikë detarë në Vlorë.
Ajo që dëgjova nga operatorët turistikë detarë është një tablo shqetësuese e mënyrës se si pushteti lokal në Vlorë po trajton një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së qytetit. Në vend që Bashkia të jetë në krah të sipërmarrësve dhe të lehtësojë aktivitetin e tyre, ajo është kthyer në pengesën kryesore për punën dhe investimet e tyre.
Operatorët sollën dëshmi konkrete, me raste dhe emra specifikë, për një sërë problematikash serioze që lidhen drejtpërdrejt me keqmenaxhimin dhe mungesën e vullnetit nga ana e Bashkisë Vlorë.
Ndër shqetësimet kryesore që u ngritën ishin:
* Mungesa e vendeve për ankorimin e anijeve turistike, ndërkohë që porti është kthyer praktikisht në një monopol që përjashton operatorët e tjerë.
* Mungesa e infrastrukturës bazë për mjetet turistike detare.
* Operatorë që vazhdojnë të përballen me procese gjyqësore dhe bllokim llogarish bankare për një taksë të padrejtë, të cilën vetë Bashkia e ka pranuar si të tillë duke e hequr me vendim të Këshillit Bashkiak. Megjithatë, në vend që të marrë një vendim për zerimin e gjobave dhe mbylljen e këtij absurdi administrativ, Bashkia vazhdon të apelojë edhe vendimet që operatorët kanë fituar në shkallën e parë.
* Në Vlorë mungon edhe një mjet për emergjencat në det, një situatë e papranueshme për një qytet bregdetar që pretendon të jetë destinacion turistik.
* Operatorët kërkojnë korridore portuale dhe mbështetje nga shteti, përfshirë subvencionimin e karburantit, ashtu siç ndodh në shumë vende turistike.
* Probleme të vazhdueshme me energjinë elektrike, furnizimin me ujë dhe mungesën e vendbazimeve për aktivitetin e tyre.
Akoma më shqetësuese është fakti që edhe operatorë që kanë marrë vendime ligjore nga institucionet përkatëse, si KKT, Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe ministritë përkatëse për stacion bazime të miratuara, përballen me refuzim për t’u zbatuar dhe pengesa të pajustifikuara nga Bashkia Vlorë.
Kjo qasje nuk dëmton vetëm operatorët turistikë; ajo dëmton ekonominë e qytetit, sezonin turistik dhe imazhin e Vlorës si destinacion.
Si deputete e qarkut dhe si kryetare e komisionit përgjegjës për turizmin, do t’i drejtohem me kërkesa zyrtare Bashkisë Vlorë për secilën nga këto problematika dhe do të kërkoj transparencë dhe përgjegjësi institucionale. Bashkia nuk mund të vazhdoj të jetë pengesë për sipërmarrjen dhe zhvillimin e turizmit.
Operatorët turistikë të Vlorës meritojnë të kenë kushtet dhe mbështetjen për të punuar normalisht dhe për të kontribuar në zhvillimin e qytetit.


