Bullgaria është shpallur fituese e edicionit të këtij viti të Eurovision Song Contest 2026, duke rrëmbyer për herë të parë trofeun e garës më të madhe evropiane të muzikës. Këngëtarja Dara arriti të triumfojë me këngën “Bangaranga”, një performancë që surprizoi publikun dhe juritë në mbarë Europën.
Bullgaria dominoi votimin si nga juritë profesionale, ashtu edhe nga publiku, duke grumbulluar në total 512 pikë. Pas saj u rendit Izraeli me 343 pikë, ndërsa Rumania siguroi vendin e tretë me 296 pikë.

Ndërkohë, Shqipëria u përfaqësua këtë vit nga Alis Kallaçi me baladën emocionale “Nan”, duke e mbyllur finalen në vendin e 13-të. Kënga shqiptare arriti të prekë publikun europian dhe të sigurojë një paraqitje dinjitoze në skenën e madhe të Eurovisionit.
Nga votat e jurive profesionale, Shqipëria grumbulloi 60 pikë, ndërsa publiku i dha edhe 85 të tjera. Mbështetjen më të madhe vendi ynë e mori nga Portugalia, e cila i akordoi Shqipërisë pikët maksimale – 12 pikë. Po ashtu, Mali i Zi e vlerësoi performancën shqiptare me 10 pikë.
Nga ana tjetër, Shqipëria vendosi t’i japë 12 pikët e saj Italisë, megjithatë italianët nuk i dhanë asnjë pikë përfaqësimit shqiptar. Ndërsa Greqia e vlerësoi Shqipërinë me vetëm 1 pikë.
Pavarësisht renditjes finale, performanca e Alis me “Nan” u komentua gjerësisht në rrjetet sociale dhe u konsiderua nga shumë fansa si një nga interpretimet më emocionale të këtij edicioni të Eurovisionit.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


