
Në kuadër të Programit të Shkëmbimit të Përvojave dhe Bashkëpunimit Institucional, Bashkia Roskovec mirëpriti delegacionin e Bashkisë Letychiv nga Ukraina, duke shënuar nisjen e një vizite disa ditore që synon forcimin e marrëdhënieve mes dy njësive vendore dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në administrimin lokal.
Dita e parë e vizitës nisi me pritjen zyrtare në ambientet e Bashkisë Roskovec, ku delegacioni ukrainas u mirëprit nga Kryetarja e Bashkisë, znj. Majlinda Bufi, dhe më pas vijoi me një takim të zgjeruar me drejtues, specialistë dhe aktorë të rëndësishëm institucionalë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja Majlinda Bufi falënderoi delegacionin për praninë e tyre dhe vlerësoi rëndësinë e këtij partneriteti, veçanërisht në një periudhë sfiduese për Ukrainën. Ajo theksoi se qëllimi kryesor i Bashkisë Roskovec mbetet përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve dhe afrimi me standardet europiane të qeverisjes vendore.

“Roskoveci mbetet i hapur për çdo bashkëpunim të frytshëm. Kemi punuar fort vitet e fundit për të qenë sa më pranë integrimit europian dhe besojmë se shkëmbimi i përvojave është një mundësi e vyer për të mësuar nga njëri-tjetri”, u shpreh znj. Bufi.
Një moment i rëndësishëm i takimit ishte përshëndetja e Ambasadorit të Ukrainës në Shqipëri, Sh.T.Z. Volodymyr Shkurov, i cili falënderoi Bashkinë Roskovec për mikpritjen dhe solidaritetin e treguar ndaj popullit ukrainas.
Ambasadori vlerësoi ndihmën e dhënë nga Shqipëria dhe veçanërisht nga rajoni i Roskovecit, duke kujtuar kontributin me automjete dhe ndihma humanitare për Ukrainën. Ai bëri të ditur gjithashtu se dy vendet janë drejt finalizimit të marrëveshjeve të rëndësishme në fushën e tregtisë së lirë dhe shmangies së tatimit të dyfishtë, ndërsa evidentoi edhe mundësitë e reja të bashkëpunimit në sektorin e turizmit.
“Takime si ky janë shembull i rrugës së suksesshme që Shqipëria po ndjek drejt integrimit europian. Bashkëpunimi mes komuniteteve vendore krijon ura të forta zhvillimi dhe mirëkuptimi”, deklaroi ambasadori ukrainas.
Nga ana e tij, Kryetari i Bashkisë Letychiv, z. Ihor Tysiachnyi, shprehu mirënjohjen për pritjen e ngrohtë dhe interesin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, veçanërisht në bujqësi, kulturë dhe teknologji.
Ai vlerësoi potencialin e Roskovecit në prodhimin bujqësor, duke veçuar sektorin e ullirit dhe vajit të ullirit si një mundësi konkrete për partneritet mes dy bashkive.
“Pavarësisht sfidave që sjell lufta, Ukraina vazhdon të zhvillohet në shumë fusha. Ne dëshirojmë të ndërtojmë bashkëpunime të reja dhe të ftojmë qytetarët shqiptarë të njohin potencialin e vendit tonë përtej realitetit të luftës”, tha z. Tysiachnyi.

Takimi u përshëndet gjithashtu nga Drejtori Ekzekutiv i NALAS, z. Elton Stafa, i cili theksoi se ky partneritet është pjesë e një rrjeti më të gjerë bashkëpunimi ndërmjet bashkive të Ukrainës dhe vendeve që synojnë integrimin europian.
“Bashkitë janë ambasadorët më të mirë të zhvillimit europian. Përmes shkëmbimit të praktikave dhe eksperiencave krijohen mundësi afatgjata për përmirësimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin territorial”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, znj. Adelina Farrici, vlerësoi lidershipin e Bashkisë Roskovec dhe rolin e saj aktiv në krijimin e partneriteteve ndërkombëtare.
Në vijim të axhendës, Sekretarja e Përgjithshme e Bashkisë, znj. Delina Hoxha, prezantoi strukturën organizative të institucionit, sfidat e emigracionit dhe prioritetet kryesore të zhvillimit lokal. U evidentua gjithashtu fakti se 53% e buxhetit të Bashkisë Roskovec sigurohet nga taksat dhe tarifat vendore, një tregues i rëndësishëm i qëndrueshmërisë financiare.
Një prezantim i detajuar mbi sektorin e bujqësisë u realizua nga Drejtori i Zhvillimit Bujqësor, z. Viktor Kola, i cili shpjegoi potencialin e madh të territorit në bujqësi, blegtori, sera diellore dhe sistemet e ujitjes.
Interes të veçantë nga delegacioni ukrainas ngjallën investimet e Bashkisë Roskovec në energjinë e rinovueshme dhe sistemet moderne të ujitjes. Kryetarja Bufi prezantoi projektin e Stacionit të Pompimit në Arapaj-Matkë, ku janë instaluar panele fotovoltaike për uljen e kostove të prodhimit për fermerët.
Ajo bëri të ditur se Bashkia Roskovec zotëron sipërfaqen më të madhe të paneleve fotovoltaike shtetërore në nivel vendor, ndërsa investimi prej rreth 70 milionë lekësh ka mundësuar rehabilitimin e kanaleve ujitëse dhe modernizimin e stacionit të pompimit.
Takimi përfundoi në një atmosferë miqësore dhe optimiste, me bindjen se bashkëpunimi ndërmjet Roskovecit dhe Letychiv do të shërbejë si një model i suksesshëm partneriteti ndërkombëtar dhe shkëmbimi të përvojave në funksion të zhvillimit lokal dhe integrimit europian.


