Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka bërë një nga paralajmërimet e tij më të forta deri më sot për inteligjencën artificiale, duke argumentuar se zhvillimi i saj duhet të shoqërohet me kufizime të rëndësishme, në të kundërt dëmet ndaj njerëzimit mund të jenë më të mëdha se përfitimet.
Në një ese të gjatë me titull “Epoka e trazuar e AI-së ka mbërritur. Zgjedhjet që bëjmë tani janë vendimtare”, Gates shkruan se bota po hyn në një periudhë transformimi të jashtëzakonshëm, për të cilën institucionet dhe qeveritë nuk janë të përgatitura.
“AI do të jetë ose barazuesi më i madh i krijuar ndonjëherë, ose burimi më i keq i padrejtësisë”, paralajmëron Gates, duke theksuar se bota ka nevojë për një plan të qartë për të siguruar që përfitimet të jenë më të mëdha se dëmet.
Sipas Gates, inteligjenca artificiale sjell tre rreziqe të mëdha. I pari është zhdukja e përhershme e shumë vendeve të punës. Ai beson se AI nuk do të prekë vetëm profesionet e zyrave, por gradualisht edhe punët fizike, ndërsa robotët bëhen më të aftë dhe më të lirë.
Sektorë të tërë, nga shërbimi ndaj klientit dhe programimi deri te mjekësia, ligji dhe prodhimi, mund të përjetojnë ndryshime të thella brenda një dekade. Gates paralajmëron se thjesht rikualifikimi i punëtorëve mund të mos jetë i mjaftueshëm.
Rreziku i dytë lidhet me përdorimin e AI-së nga individë apo grupe me qëllime kriminale. Teknologjia mund të lehtësojë sulmet kibernetike, mashtrimet, krijimin e materialeve të rreme, fushatat e dezinformimit dhe, në raste më të rënda, zhvillimin e armëve biologjike. Gates thekson se sistemet kritike, përfshirë spitalet, bankat, rrjetet e energjisë dhe furnizimin me ujë, mund të bëhen më të ekspozuara ndaj sulmeve.
Rreziku i tretë ka të bëjë me fëmijët dhe marrëdhëniet njerëzore. Gates shqetësohet se përdorimi i tepërt i AI-së mund të ndikojë në zhvillimin social të të rinjve dhe të dobësojë aftësinë për të menduar në mënyrë kritike.
Në intervistën e tij me The Washington Post, Gates pranoi se për herë të parë në jetën e tij dëshiron që një teknologji e re të zhvillohet më ngadalë.
“Jam i befasuar që ndihem kështu”, tha ai. “Nuk kam parë kurrë një problem që inovacioni nuk mund ta zgjidh.”
Gates shprehu frikën se, pa ndërhyrje urgjente, inteligjenca artificiale mund të shkaktojë më shumë dëm sesa të mira. Megjithatë, ai theksoi se nuk është kundër teknologjisë dhe vazhdon të besojë në potencialin e saj për të përmirësuar shëndetësinë, arsimin dhe jetën e njerëzve në mbarë botën. Pyetja kryesore, sipas tij, është nëse njerëzimi mund të kufizojë dëmet duke ruajtur përfitimet e mëdha që AI mund të sjellë.
Një nga propozimet më të pazakonta të Gates është krijimi i vendeve të punës të rezervuara për njerëzit, një koncept që ai e quan “Human Reserved”.
Në intervistën për Axios, ai përmendi kujdesin ndaj fëmijëve dhe rolin e jurisë si fusha ku njeriu duhet të mbetet në qendër. Në sektorë të tjerë, si arsimi dhe shëndetësia, AI mund të përdoret si ndihmë, por jo domosdoshmërisht si zëvendësim i plotë i profesionistëve.
Gates propozon gjithashtu një taksë mbi robotët dhe përdorimin e AI-së, për të zbutur nxitjen ekonomike për zëvendësimin masiv të punëtorëve dhe për të financuar ndihmën për njerëzit që humbasin punën për shkak të automatizimit.
Thelbi i paralajmërimit të Gates është se AI po përparon më shpejt sesa aftësia e shoqërisë për ta kontrolluar atë. Ai kërkon krijimin e një sistemi të ri kombëtar dhe ndërkombëtar për menaxhimin e inteligjencës artificiale, duke përfshirë qeveritë, ekspertët, kompanitë teknologjike dhe shoqërinë civile. Sipas tij, ky bashkëpunim duhet të trajtojë jo vetëm punësimin, por edhe sigurinë kombëtare, arsimin, taksat, shëndetin publik dhe sistemet financiare.
“Për momentin, nuk ekziston një plan për të lehtësuar hyrjen në epokën e AI-së”, paralajmëron Gates.
Në fund, ai nuk kërkon ndalimin e plotë të inteligjencës artificiale, por një frenim të pasojave të saj më të rrezikshme. Gates beson se teknologjia mund të sjellë përparime të jashtëzakonshme, por vetëm nëse njerëzit vendosin kufijtë tani. Sipas tij, AI mund të ndryshojë botën për mirë — por kjo nuk do të ndodhë automatikisht.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


