Shqipëria ka rrëmbyer vëmendjen e publikut europian në finalen e këtij viti të Eurovision Song Contest 2026, ku Alis solli një performancë të fuqishme dhe plot emocion me baladën “Nan”.
Artisti shqiptar u ngjit i pesti në skenën madhështore të “Wiener Stadthalle” në Vjenë, duke dhuruar një interpretim që u vlerësua për ndjeshmërinë, autenticitetin dhe lidhjen e fortë emocionale me publikun. Në performancë u bashkua edhe aktorja e njohur Rajmonda Bulku, prania artistike e së cilës i dha këngës një dimension edhe më të thellë teatral dhe emocional.
“Nan” trajton raportin e fortë mes nënës dhe fëmijës, duke prekur tema universale si malli, emigracioni dhe forca e familjes — motive që kanë rezonuar fuqishëm jo vetëm tek shqiptarët në mbarë botën, por edhe tek publiku europian.
Kënga është realizuar nga vetë Alis në bashkëpunim me Desara Gjinin, ndërsa produksioni muzikor mban firmën e Erjet Barbullushit. Që pas performancës në gjysmëfinale, vargjet prekëse të këngës janë shpërndarë masivisht në rrjetet sociale, ndërsa shumë fansa të festivalit e kanë cilësuar “Nan” si një nga këngët më autentike dhe emocionuese të këtij edicioni të Eurovisionit.
Mbështetja për Shqipërinë vazhdon të jetë e madhe edhe online, ku kënga po fiton gjithnjë e më shumë klikime dhe komente pozitive nga publiku ndërkombëtar.
Si të votoni për Shqipërinë:
– Me SMS: Dërgoni kodin 05 në numrin përkatës të shtetit ku ndodheni.
– Online për Mbretërinë e Bashkuar, Australinë, Ameriken, etj, votoni në faqen zyrtare të Eurovisionit përmes esc.vote.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


