27.4 C
Sterling Heights
12/09/2024, 20:11
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Qeveritarët s’japin datë për hapjen e urës, përmendin koordinimin me partnerët

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetQeveritarët s’japin datë për hapjen e urës, përmendin koordinimin me partnerët

Qeveria vazhdon të insistojë në hapjen e urës mbi lumin Ibër, megjithë kundërshtimin e BE-së, SHBA-së e KFOR-it. Tek e ka përmendur rëndësinë e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, kryeministri Kurti ka deklaruar të mërkurën se rihapja e urës nuk është kundër askujt. Por as Kurti dhe as vartësi i tij, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, nuk kanë dhënë një datë se kur mund të hapet ajo për qarkullim edhe të automjeteve

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Qeveria e tij është duke i vazhduar konsultimet dhe koordinimin me partnerët lidhur me rihapjen për qarkullimin e automjeteve të urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Tek ka folur nga mbledhja e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se hapja e urës që e ndan qytetin e Mitrovicën në jugun me shumicë shqiptare dhe në veriun me shumicë serbe, është e rëndësishme dhe se nuk është kundër askujt. Por as ai dhe as vartësi i tij, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, nuk kanë treguar se kur do të mund të hapet ura, pas konstatimit se ajo është e qëndrueshme edhe për automjete të rënda.

Rihapja e urës për qarkullim edhe të automjeteve është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë. Ushtarët italianë të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR – ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.

“I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse që i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimeve të vazhdueshme. Qeveria dhe unë besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet”, ka theksuar Kurti. “Do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”.

E ministri Krasniqi, në një konferencë shtypi pas mbledhjes së Qeverisë, nuk ka dhënë një datë të mundshme se kur mund të hapet ura, teksa ka shtuar se veprimet janë duke u koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.

I pyetur rreth deklaratës të së martës të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ekziston rrezik për ushtarët amerikanë në rast se ura në Mitrovicë hapet në këtë kohë, Krasniqi ka theksuar se Qeveria e trajton me shumë seriozisht mirëqenien e ushtarëve amerikanë.

“Ata janë ushtarët më të dashur të KFOR-it, te qytetarët tanë. Po i vazhdojmë koordinimet dhe konsultimet me partnerët, përfshirë KFOR-in që gjithçka të shkojë mirë e të mos ketë asnjë incident e lëre më shumë. Ne besojmë se liria e lëvizjes dhe e sundimi i ligjit janë mbi të gjitha e do të ketë koordinim për secilin veprim të ndërmarrë”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka shtuar se nëpërmjet hapjes së Urës së Ibërit do të përmbushej obligimi nga marrëveshja e Brukselit, teksa ka adresuar edhe një pyetje për Bashkimin Evropian (BE).

Nga viti 2018 deri më 2021, në raportet e BE-së thuhet se ura është gati e duhet të hapet për qarkullim të plotë, pa vonesë dhe pa pengesa. Duke qenë sponsorizuese e marrëveshjes dhe planit të zbatimit për hapjen e urës, BE-ja duhet të tregojë çfarë ka ndryshuar nga viti 2023?”, ka thënë Krasniqi.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA) e kanë kritikuar Kosovën për veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara, pas paralajmërimit për hapjen e urës në Mitrovicë. Edhe në KFOR kanë deklaruar se çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të merret në dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja, teksa kanë shprehur gatishmëri që të ballafaqohen me këdo që e cenon sigurinë.

Në një deklaratë të lëshuar vonë të martën, në KFOR kanë thënë se nuk hezitojnë të veprojë ndaj çfarëdo zhvillimi që mund të ketë.

“Kemi prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës, dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çfarëdo zhvillimi të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, është thënë në komunikatën e KFOR-it.
Në këtë mision kanë përsëritur se kanë prani në urën mbi lumin Ibër dhe se janë duke kryer patrullime të rregullta. Në KFOR kanë kërkuar po ashtu përmbajtje në deklarata nga të gjithë akterët dhe nga veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione.

“KFOR-i është i pajisur dhe pozicionuar mirë për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar ta përmbushë misionin e mandatuar nga OKB-ja”, kanë thënë në KFOR.

E këto “vija të kuqe” të KFOR-it për urën mbi lumin Ibër i ka mbështetur të mërkurën edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Ai ka thënë se veprimet e njëanshme të vitit të kaluar, që çuan në lëndimin e ushtarëve të KFOR-it dhe të civilëve, nuk duhet të përsëriten.

“E mbështesim plotësisht NATO-KFOR dhe vijat e saja të qarta të kuqe, përfshirë edhe ato lidhur me urën e Mitrovicës. Veprimet e njëanshme të vitit të kaluar, që shkaktuan lëndime të ushtarëve të KFOR-it + civilëve, nuk duhen përsëritur. Këshillat ndërkombëtare duhet të merren parasysh. Nevojitet depërshkallëzim i retorikës; mirëpres koordinimin e përmendur prej kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”, ka shkruar Rohde në platformën “X”.

E zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka shkruar në “X” se BE-ja është duke kërcënuar me vendosjen e masave shtesë ndaj Kosovës po qe se zbatohet marrëveshja e ndërmjetësuar nga vetë ajo.

Bislimi ka shkruar se emisari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë më 19 qershor, kur pati diskutuar për temën e urës mbi lumin Ibër, ka thënë që në rast se Kosova nuk preferon që kjo çështje të diskutohet në Bruksel, atëherë rekomandon që të bëhen bisedime të brendshme me serbët lokalë. Ai po ashtu ka thënë se një partner i QUINT-it e pati shtuar kërkesën që të ketë inspektime teknike.

E pas realizimit të dy kërkesave shtesë, Bislimi ka thënë se BE-ja tani po kërcënon me masa ndaj Kosovës nëse e hap urën për qarkullim të veturave.

“Në vizitën e tij të fundit në Kosovë më 19 qershor, kur kemi biseduar për urën e Mitrovicës, Lajçak tha se nëse Kosova nuk preferon të diskutojë përsëri për këtë çështje në Bruksel, ai rekomandon diskutime të brendshme me serbët vendas në veri për implikimet potenciale në siguri dhe shqetësimet e tyre. Një partner i QUINT-it shtoi kërkesën për inspektim teknik. Ne kemi ndjekur dy rekomandimet. Tani BE-ja po e kërcënon Kosovën në rast se ajo zbaton marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe rekomandimet shtesë. Ne besojmë fuqishëm se BE-ja promovon më shumë liri të lëvizjes dhe më pak kufij apo mure ndërmjet etnive të ndryshme”, ka shkruar Bislimi në platformën “X”.

Ai ka shtuar se hapja e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të veturave nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës dhe as çështje e pazgjidhur në dialog, por kërkesë kryesore e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë.

“Për më tepër, plani i zbatimit i BE-së, i datës 5 gusht të vitit 2016, e konsideron hapjen e urës si ‘simbol të normalizimit të marrëdhënieve mes serbëve të Kosovës, shqiptarëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera’”, ka shkruar Bislimi.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, të martën ka njoftuar se kanë pranuar raportin nga testimi i kapacitetit të mbajtjes së strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër. Në raport është konstatuar se struktura e urës është stabile, funksionale dhe se mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim për ngarkesë.

“Struktura e urës e trafikut rrugor, mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës, ka një strukturë stabile, të qëndrueshme dhe funksionale përgjatë kohës së shfrytëzimit, pothuajse ashtu si dhe është projektuar dhe ndërtuar, dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë nga ato të parapara me projekt (të kohës kur është ndërtuar) dhe ka kapacitet të mjaftueshëm edhe për ngarkesat projektuese sipas modelit të ngarkesave të parapara me standardin evropian për ngarkesa EC-1, ose EC-1991, pjesa-3”, është theksuar në konkluzionet preliminare.

Durmishi ka shtuar se aktualisht po pritet dalja edhe e raportit përfundimtar për të pasur rezultatet përfundimtare mbi funksionalitetin e Urës së Ibrit sa i përket aspektit teknik.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër ka qenë simbol i trazirave dhe i barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Qeverisë për të vendosur autoritetin në veri. Ura aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve. Marrëveshja e 2014-s parasheh revitalizimin e urës, me qëllim të heqjes të të gjitha barrikadave dhe funksionalizimit të saj.

Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan javën e kaluar kundër rihapjes së urës mbi lumin Ibër.

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img