15.6 C
Sterling Heights
21/09/2026, 11:51
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Rama ne Michigan: “ Këta brenda..dhe ata jashtë..”; Shqiptarët e Michiganit: Mund të votojmë ndryshe, por jemi NJE

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetRama ne Michigan: “ Këta brenda..dhe ata jashtë..”; ...

Vizita e Edi Ramës në Michigan të Dielën, më 20 Shtator, nuk kaloi pa reagim nga komuniteti shqiptar. Ndërsa brenda Detroit Marriott Troy u zhvillua takimi me një grup të ftuarish, jashtë hotelit u mblodhën shqiptarë që protestuan kundër kryeministrit dhe politikave të qeverisë së tij.

Protesta u pasqyrua edhe nga FOX 2 Detroit, i cili raportoi se shumë shqiptaro-amerikanë u mblodhën jashtë takimit për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj asaj që po ndodh në Shqipëri. Pamjet e publikuara nga televizioni amerikan treguan protestues me flamuj shqiptarë dhe pankarta kundër Ramës.

Edhe media shqiptare në Michigan e kanë pasqyruar protestën. Ata raportuan se dhjetëra protestues u mblodhën jashtë Marriott-it dhe se protesta ishte paqësore, ndërsa protestuesit kundërshtuan si qeverisjen e Ramës, ashtu edhe mënyrën se si u organizua takimi me komunitetin.

Por ajo që ndodhi brenda dhe jashtë hotelit ngre një pyetje më të madhe: kujt iu dha mundësia të fliste dhe kujt iu mbyll dera?

Media shqiptare nga Michigan, përfshirë ne, nuk u lejuan të hynin brenda për të ndjekur takimin dhe për të bërë punën tonë si media. Kjo është veçanërisht problematike kur bëhet fjalë për një takim të kryeministrit të Shqipërisë me komunitetin shqiptar në një prej qendrave më të rëndësishme të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Një kryeministër që vjen në diasporë nuk takohet vetëm me njerëzit që ndodhen brenda sallës me ftesa. Ai takohet edhe me ata që qëndrojnë jashtë saj. Dhe në një shoqëri demokratike, edhe pyetjet kritike janë pjesë e komunitetit.

Vetë Rama e kishte prezantuar vizitën si një takim “me shqiptarët dhe për shqiptarët” në Michigan. Por nëse një pjesë e komunitetit proteston jashtë dhe media lokale shqiptare nuk ka akses brenda, atëherë është e arsyeshme të kërkohet transparencë mbi mënyrën se si u përcaktuan të ftuarit dhe kush kishte të drejtë të ndiqte takimin.

Kjo nuk është çështje nëse dikush e mbështet apo e kundërshton Edi Ramën.

Është çështje e një parimi shumë më të thjeshtë: komuniteti shqiptar i Michiganit nuk është një grup i vetëm me një mendim të vetëm.

Brenda kishte shqiptarë që zgjodhën të merrnin pjesë. Jashtë kishte shqiptarë që zgjodhën të protestonin. Të dyja pamjet ekzistuan njëkohësisht dhe të dyja janë pjesë e realitetit të komunitetit.

Por ajo që ndodhi jashtë hotelit nuk ishte thjesht një protestë politike. Ishte edhe një mesazh për çdo politikan që vjen nga Shqipëria në diasporë: shqiptarët e Michiganit nuk janë pronë e asnjë partie politike.

Ne jemi një komunitet.

Pavarësisht se cila parti është në pushtet në Shqipëri, ne këtu në Michigan jemi shqiptarë. Mund të kemi bindje të ndryshme politike, mund të votojmë ndryshe dhe mund të debatojmë për politikën, por kjo nuk duhet të na ndajë si komunitet.

Dhe pikërisht këtu qëndron shqetësimi ynë.

Vizita e Ramës në Michigan u ishte përpjekje për ta ndarë diasporën në kampe politike: ata që janë brenda dhe ata që janë jashtë; ata që mbështesin qeverinë dhe ata që e kundërshtojnë atë.

Ne nuk e pranojmë këtë ndarje.

Shqiptarët e Michiganit nuk kanë nevojë të ndahen nga politika e Tiranës. Përkundrazi, ne duhet të jemi bashkë dhe t’i kërkojmë çdo qeverie shqiptare të bëjë atë që duhet për qytetarët e saj dhe të punojë për njerëzit e saj.

Kjo është ajo që duhet të kërkojmë nga çdo qeveri: drejtësi, përgjegjësi, zhvillim dhe respekt për qytetarët.

Jetën në Michigan e kemi ndërtuar bashkë. Këtu jetojmë, punojmë, rrisim fëmijët tanë dhe mbajmë gjallë gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare. Këtu duhet të kemi edhe forcën për të mos lejuar askënd të na vendosë kundër njëri-tjetrit.

Ne mund të mos biem dakord për politikën. Por biem dakord për një gjë: Shqipëria është e shqiptarëve dhe qeveria punon për ta dhe Jo ķundër tyre dhe për përçarjen.

Edi Rama erdhi në Michigan.

Por shqiptarët e Michiganit i treguan atij dhe përçarësve se komuniteti ynë nuk ndahet. Ne jemi një.

Artikulli përgatitur nga ACTVUSA

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img