-8.1 C
Sterling Heights
16/01/2026, 4:12
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

“Paga mesatare në sektorin privat u rrit me gati 15%”, Sejko: Ekonomia e shqiptare vijoji të rritej në gjysmën e parë të vitit

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaLajme“Paga mesatare në sektorin privat u rrit me gati 15%”, Sejko: Ekonomia...

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko, në një komunikim për mediat ka deklaruar se “ekonomia e shqiptare vijoji të rritej në gjysmën e parë të vitit”.

Sejko u shpreh se është pasqyruar në rritje të shpejtë të pagave në sektorin privat, ndërsa shtoi se “punësimi shënoi një rritje vjetore prej 2.7% në tremujorin e dytë të vitit ndërsa paga mesatare në sektorin privat u zgjerua me rreth 15%”.

Më tej guvernatori Sejko deklaroi se “luhatjet e kursit të këmbimit të lekut ndaj euros po vijnë drejt reduktimit, ndërsa raporti i shkëmbimit të lekut ndaj euros duket se është stabilizuar rreth niveleve aktuale”.

“Inflacioni vijoi të shënojë rënie në tremujorin e tretë të vitit, duke regjistruar vlerat respektive prej 4.2% dhe 4% në muajt korrik e gusht. Reduktimi i inflacionit kishte një bazë relativisht të gjerë ndër artikujt e ndryshëm të shportës së konsumit. Megjithatë, ritmi i rënies erdhi në ngadalësim gjatë tremujorit të tretë, ndërkohë që inflacioni i çmimeve të shërbimeve, të qirave dhe të mallrave të konsumit afatgjatë, u shfaq përgjithësisht i qëndrueshëm, duke ilustruar si kërkesën e lartë ashtu dhe rritjen e kostove të prodhimit në vend.

Në aspektin makroekonomik, rënia e inflacionit u diktua nga rënia e inflacionit të importuar ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste – ndonëse në rënie – shfaqen më të qëndrueshme. Në një këndvështrim më të detajuar, rënia e inflacionit të importuar pasqyroi stabilizimin e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe forcimin e kursit të këmbimit të lekut gjatë viteve të fundit. Në të kundërt, qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste diktohet nga rritja e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit.

Në gjykimin tonë, stabilizimi në nivele të ulëta i inflacionit të importuar, një ecuri më e balancuar e kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime në vend, si dhe konvergjenca graduale e pritjeve për inflacionin në objektiv, do të diktojnë reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në tremujorët në vijim.

Sipas të dhënave të Instat-it, ekonomia shqiptare vijoi të rritet në gjysmën e parë të vitit 2023. Ritmi i rritjes ekonomike shënoi një përmirësim të lehtë në tremujorin e dytë, duke arritur nivelin 3.2%, ndërkohë që të dhënat e tërthorta të disponuara sugjerojnë një ritëm të ngjashëm rritjeje edhe në tremujorin e tretë.

Rritja ekonomike ka pasqyruar zgjerimin e aktivitetit në sektorin e ndërtimit dhe degë të caktuara të sektorit të shërbimeve, ndërkohë që sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë shënuan rënie. Kjo ecuri është diktuar nga zgjerimi i kërkesës së brendshme për mallra e shërbime, si pasojë e rritjes së konsumit familjar dhe të investimeve të sektorit privat, si dhe nga rritja e eksportit të shërbimeve. Nga ana tjetër, politika fiskale ka mbetur në kahun konsolidues ndërsa eksporti i mallrave ka ardhur në rënie.

Rritja relativisht e shpejtë e kërkesës për mallra e shërbime gjatë tre viteve të fundit është pasqyruar në një pozicion ciklik pozitiv të ekonomisë shqiptare. Ky pozicion ka sjellë përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve shqiptare, e kryesisht të atyre të industrisë së shërbimeve, dhe – përballë mungesave të vëna re në tregun e punës, – është pasqyruar në rritje të shpejtë të pagave në sektorin privat. Në veçanti, punësimi shënoi një rritje vjetore prej 2.7% në tremujorin e dytë të vitit ndërsa paga mesatare në sektorin privat u zgjerua me rreth 15%, duke rritur të ardhurat e familjeve shqiptare por duke mbajtur të larta edhe kostot e prodhimit dhe presionet e brendshme inflacioniste.

Në aspektin makroekonomik, zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime vijon të ushqehet nga kushtet ende stimuluese financiare në vend, nga përmirësimi gradual i besimit të biznesit dhe të konsumatorit gjatë vitit 2023, si dhe nga rritja e shpejtë e sektorit të turizmit.

Tregjet financiare shqiptare kanë qenë relativisht të qeta gjatë tremujorit të shkuar. Në veçanti, luhatjet e kursit të këmbimit të lekut ndaj euros po vijnë drejt reduktimit, ndërsa raporti i shkëmbimit të lekut ndaj euros duket se është stabilizuar rreth niveleve aktuale.

Normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare ka sjellë një rritje të përgjithshme të nivelit të normave të interesit në vend. Megjithatë, kushtet e brendshme financiare mbeten ende stimuluese. Po ashtu, kostot e financimit të sektorit privat dhe publik pasqyrojnë prime të kontrolluara rreziku të likuiditetit dhe të kreditit, duke sugjeruar një ambient relativisht të qetë financiar dhe një perceptim përgjithësisht pozitiv të sektorit bankar mbi zhvillimet e ardhshme ekonomike. Ritmi i rritjes së kredisë për sektorin privat ka ardhur në ngadalësim gjatë tremujorëve të fundit, në pasqyrim të reduktimit të nevojave të bizneseve për kapital qarkullues si dhe të një përqasjeje më të kujdesshme të sektorit bankar në kredidhënie.”, deklaroi Sejko./panorama.com.al

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img