Nga Historiani Julian Vlashi .
Stema heraldike e murosur në qelën famullitare të Gëziqit (Ndërfandës), fotografuar në vitin 1966 kur rigjetën nga Dhimitër Shuteriqi. Më vonë, Mark Tirta zbuloi edhe fragmente të tjera nga mbishkrimi, që ishin ruajtur në absidën e kishës në afërsi.
Mbishkrimi epigrafik dhe stema heraldike e principatës së Arbërit (fillim shek. XIII), kur u identifikuan sëpari nga Theodor Ippen në vitin 1901, ishin murosur mbi portikun e kishës së rindërtuar të Shën Mërisë së Ndërfandës (pas rrënimit të kishës ishin murosur në qelën famullitare, mesa duket për t’u ruajtur). Për rindërtimin e kishës së Shën Mërisë, ishin përdorur fragmente të abacisë së vjetër të Shën Mërisë, por edhe disa fragmente (dmth mbishkrimi epigrafik, stema heraldike e principatës së Arbërit dhe disa fragmente të tjera me motive dekorative) nga bazilika e Shën Prendes së Ndërfandës (pasi ishte rrënuar).
Stema heraldike dhe mbishkrimi epigrafik i Principatës së Arbërit, kanë qënë të vendosura në arkitraun e bazilikës së Shën Prendes së Ndërfandës, ndërtimin e së cilës Dhimitri i Arbërit e kishte lënë me testament. Rindërtimi i mbishkrimit u bë nga Koço Zheku dhe leximi i tij u bë i mundur nga Injac Zamputi.
Mbishkrimi:
radha e parë: I SHKËLQYESHMI LEGATI TRIBUN ANTONI I TË PËRNDRITURIT GJERGJ ME SHPENZIMET PRIVATE TË LËNA ME KUSHT E NDËRTOI TË POSHTSHËNUARIN TEMPULL TË ÇLIRUAR NGA DETYRIMET E TË PA PREKSHËM TË PAJTORES SHNA PREMTE TË NDËRFANDËS NË MYSJEN E EPËR (dhe) ME GJITHË QEJF JA BLATOI KOMBIT TË DENJË (dmth)
radha e dytë: ATYRE QË GËZOJNË BENEFICET E ATIJ (kombi) DHE SIPAS TESTAMENTIT TË DHIMITRIT UA DORËZOJ GJYKATËSVE TË CILËVE IU SHTOFTË NDERI ASHTU EDHE (legati) IA BLATOI NIPIT SEPSE KËSHTU (Dhimitri) IA PREMTON ME TESTAMENT DMTH VASALIT PROGON PROTOSEVAST
radha e tretë: PASI MBLODHI KOLEKTIVIN E KËSAJ BAZILIKE TË ZOTIT (legati) E GJYKOI SE ISHTE NEVOJA TË BËHESHIN TË GJITHA GJËRAT KUJTOJE O ZOT SHËRBËTORIN TEND DMTH ABATIN.
Injac Zamputi, duke ju referuar bazilikës së Shën Prendes në Ndërfandë, ndër të tjera shkruan: Bazilikat ishin kisha kryesore që ndërtoheshin në vende që kishin fituar fame. Me të tilla kisha synohej përqëndrimi i pushtetit shpirtëror dhe tokësor të një zone të caktuar.
Në territoret e Ndërfandës (Ndërfandë, Gëziq, Ndërfushas), në një zonë relativisht të vogël, janë ruajtur në gjendje rrënoje apo në formën e toponimeve, disa kisha: bazilika e Shën Prendes, abacia e Shën Mërisë, Shën Gjergji, Shën Marku, Shën Veneranda, Shën Gjoni, Shën Gjini, Shën Nikolli, Shën Llezhdri, Shën Ndreu etj. Gjithashtu zona rrethohet nga disa fortifikime: kalaja e Meshurdhit apo Kalaja Qytet, Qyteza e Lek Dukagjinit, fortifikimi në “Gurin Llesh” etj./Historian Julian Vlashi.