Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta nisë javën me urimin e sjellë nga kantieri i punës në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës ku po punohet me ritme të shpejta për të qenë gati vitin e ardhshëm.
Në këtë aeroport po punohet në disa fronte, tek pista, po ashtu ngritja e terminalit prej 20 mijë metrash katrorë, te kulla e operimit, godina e zjarrfikësve, hangarëve, ndërtimi i rrugëve lidhëse dhe krejt infrastruktura e fushës aeroportuale.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) po merr formë dita-ditës, për ta shndërruar atë në një tjetër portë të madhe për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shqipërinë për ta vizituar e për të pushuar.
VIA do të jetë porta e hyrjes në Jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit. Ai parashikohet të rrisë lidhjet ajrore të Shqipërisë nëpërmjet heqjes së monopolit të TIA-s. Në këtë mënyrë, konkurrenca midis VIA dhe TIA do të ulë çmimet e fluturimeve, çka do të sjellë edhe rritjen e numrit total të pasagjerëve.
Ky aeroport është një prej investimeve strategjike për turizmin dhe ekonominë shqiptare, po jetësohet në terren për t’u shndërruar në aeroportin kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve dhe një kargo e mirëfilltë./lexo.al


