Bashkimi Evropian ka ripërsëritur se Kosova dhe Serbia e kanë për obligim që të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, ose ndryshe do të përballen me pasoja.
Kështu është shprehur në një konferencë për media, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Të dyja palët, Kosova dhe Serbia janë pajtuar në Ohër që të fillojnë menjëherë implementimin e të gjitha pikave të marrëveshjes, përfshirë edhe aneksin. Ky është obligimi politik që të dyja palët morën dhe ajo që shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së presin nga ato”, ka thënë Stano.
Duke komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se nuk do t’i zbatojë të gjitha pjesët e marrëveshjes, Stano ka thënë se “Marrëveshja është gjithsesi e gjallë dhe në lëvizje“.
Stano ka thënë se do të monitorohet qartë niveli i zbatimit, dhe nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.
“Monitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare“ ka thënë ai.


