Gjykatat në Kosovë mund të përballen me padi nga ana e qytetarëve, në rast se Zyra e Rregullatorit për Energjinë (ZRrE) nuk respekton edhe vendimin e Supremes, që të kompensoi plot 40 milionë euro të energjisë së shpenzuar në veri të vendit. Avokati i Popullit ka thënë se ZRrE duhet që të nisë procedurat e kompensimit sa më shpejt sepse e ka detyrim.
Në rast se Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ua bënë kompensimin e mbi 40 milionë eurove qytetarëve që iu faturua energjia elektrike e shpenzuar në veri, ata do të mund ta padisin këtë institucion.
Qytetarët thonë se ZRrE duhet të bëjë kthimin e mjeteve që ata paguan për 5 vite, padrejtësisht, në të kundërtën do shfrytëzojnë të gjitha opsionet juridike.
Nevruz Nushi, qytetar ka thënë se “rreth kësaj pjese veriore nuk ka të bëjë me dëshirat e popullit tonë, ajo është vendosur në organe të tjera, qysh në kohën e UNMIK-ut… Isha mundu me gjet forma me paditë pse jo”.
Një ditë më parë, Gjykata Supreme ka vërtetuar dy aktgjykimet e tjera, duke konstatuar se vendimi i ZRrE-së, që t’i obligojë qytetarët tjerë të Kosovës të paguajnë rrymën e shpenzuar në veri, ka qenë i kundërligjshëm.
Por, nga ZRRE, nuk janë përgjigjur nëse do iu kthehen qytetarëve paratë, etëm shkurt kanë thënë se kanë pranuar aktgjykimin dhe se janë në proces të vlerësimit për të ndërmarr veprimet e nevojshme.
Avokati i Popullit, i cili ka qenë iniciuesi i kësaj çështje në Gjykatë, thotë se e kanë mirëpritur vendimin e Supremes, por shohin sfidë zbatimin e tij.
Naim Qelaj, avokat i Popullit ka thënë se “Vetë aktgjykimi i cili është vërtetuar me vendimin e Supremes e obligon Zyrën e Rregullatorit të energjisë, edhe autoritet tjera, që me i kthy mjete që i kanë ndal në emër të pagesave të energjisë, për komunat e veriut… Unë besoj se do implementohet është edhe detyrim, dhe obligim kushtetues i krejt autoriteteve që vendimet gjyqësore me i zbatu”.
“Tani më Gjykata Supreme e ka konfirmuar mirë se ky dëm shkon diku rreth 41 milionë euro, dëmi i shkaktuar pa të drejtë, apo pasurim i pabazë nga ana e KEDS-it në kurriz të qytetarëve, kështu që qytetarët tani më e kanë të drejtën të parashtrojnë padi individuale, për të realizuar këtë dëm, për të iu kompensuar paraja që i është marr pa të drejtë”, tha Zekaj.
Qytetarëve të Kosovës nga viti 2012 e deri më 2017 iu është faturuar energjia e elektrike e shpenzuar në katër komuna veriore, derisa ZRrE, gjatë proceseve gjyqësore ishte arsyetuar se nuk kanë mundur të bëjnë inkasimin për shkaqe sigurie. /Dukagjini/


