Ndërmarrjet publike së bashku me 24 mijë asete tjera do barten nga qeveria në Fondin Sovran, që sipas Qeverisë së Kosovës do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre.
Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, 170 shtete të botës, nga rreth 200 sa janë gjithsej, tashmë kanë fonde sovrane.
“Trendi më i lartë i formimit të fondeve sovrane është shënuar në fillim të viteve 2000. Dy dekada pas, Kosova do të jetë pjesë e shumicës së botës dhe e trendit global”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në komunikatë thuhet se objektivat, organizimi dhe ndërlidhja e bizneseve private me Fondin Sovran, ishin çështje kryesore që u trajtuan në tryezën ku morën pjesë kryeministri Albin Kurti, kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, drejtuesit të grupit punues të Koncept-dokumentit për Fondin Sovran, Besnik Pula, Rrezarta Pllana. Po ashtu morën pjesë në prezantimin e Fondit Sovran edhe përfaqësues të organizatave dhe bizneseve.
Më 7 maj, është mbajt konferenca për themelimin e Fondit Sovran. Dhe sipas Qeverisë, konsultimet publike për Projektligjin për Fondin Sovran tashmë kanë përfunduar dhe shpejt do të miratohet në Qeveri.
“Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik ndonjëherë në vend”, thuhet në njoftim.


