Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë ftesë zyrtare nga presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed Al Nahyan, për të marrë pjesë në takimin e liderëve në kuadër të Konferencës COP 28.
COP është konferencë e rregullt vjetore e nivelit të lartë e organizuar nga OKB-ja, me fokus në ndryshimet klimatike.
Siç ka njoftuar Presidenca, është hera e parë që Kosova ftohet në takimin e liderëve të COP-it.
“Me këtë rast, Presidentja Osmani priti në takim Ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe, znj. Nabila Al Shamsi, e cila ia dorëzoi personalisht ftesën për këtë konferencë. Presidentja Osmani theksoi se ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën, duke qenë se është hera e parë që Republika e Kosovës po ftohet zyrtarisht dhe po trajtohet si palë e barabartë. Ajo theksoi se Kosova ka gatishmëri të plotë për t’u angazhuar në mënyrë sa më aktive në çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e ndryshimeve klimatike dhe se, si e tillë, Kosova duhet të jetë pjesë e çdo tryeze ku diskutohet për këtë temë jashtëzakonisht të rëndësishme e shqetësuese, jo vetëm për shtetin tonë. Nikoqir i COP28 këtë vit janë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe konferenca do të mbahet në fund të nëntorit dhe fillim të muajit dhjetor të këtij viti. COP28 është shndërruar tashmë në takimin kryesor të liderëve botërorë, në cilën diskutohen problemet dhe sfidat në fushën e ndryshimeve klimatike”, thuhet nga Presidenca e Kosovës.


