Tri kërkesat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës janë të qarta dhe duhet të zbatohet pa vonesa nga ana e Qeverisë, vlerësojnë analistët.
Në të kundërtën, sipas tyre mund të ketë edhe sanksione – njëjtë siç ndodhi ditë më parë kur Kosova u pezullua nga “Defender Europe ‘23”, stërvitja më e madhe e aleatëve të NATO-s në Ballkan.
Profesori i shkencave politike, Afrim Hoti, në një prononcim për Telegrafin deklaroi se e gjithë situata e krijuar së fundmi në veri të Kosovës është e panevojshme pasi nuk ka pasur koordinim të ngushtë me aleatët strategjikë.
Mendoj se është situatë e panevojshme pasi për të njëjtën nuk ka pasur koordinim të ngushtë me aleatët tanë strategjikë. Kërkesat janë të qarta dhe nuk ka dilema se duhet të zbatohen. Shtetet edhe më të mëdha nuk mund të ecin përpara pa miqtë e tyre”.
“Kosovës më shumë se buka e uji i duhet koordinimi me, BE-në, SHBA-të dhe aleatët e tjerë. Nuk diskutohet a do t’i zbatojë, vetëm se kur do t’i zbatojë dhe gabimi se pse kemi ardhur në këtë situatë”, tha Hoti.
Ai tutje shtoi se Qeveria e Kosovës gjithsesi se ka të drejtë në vendimet e saj, por jo në kuptimin e legjitimitetit dhe mungesës së koordinimit.
Situata është shumë e tendosur dhe kam përshtypjen sikur është situatë krejtësisht e krijuar artificialisht. Qeveria e Kosovës gjithsesi se ka të drejtë në vendimet e saja, por nuk ka të drejt në kuptimin e legjitimitetit dhe mungesës së koordinimit”.
“Kjo për faktin se mbrojtja e minoriteteve është çështje e Kushtetutës dhe ligjit, por edhe e të drejtës ndërkombëtare. Pra, s’munden shtetet të bëjnë çfarë të duan vet me minoritetet brenda territorit të tyre. Rasti ynë në ish-Jugosllavi ka qenë shembull tipik”, u shpreh Hoti.
Njëjtë si ai mendon edhe profesori tjetër i shkencave politike, Dritëro Arifi.
Ai për Telegrafin tha se plotësimi i këtyre kërkesave kërkon guxim dhe marrëveshje politike me partnerët ndërkombëtarë.


