
Qytetarët e Tiranës dhe turistët e huaj, që tashmë kanë vërshuar në këtë sezon veror, kanë një tjetër stacion ku mund të kalojnë fundjavat dhe pushimet e tyre.
Në Mullet të Tiranës mes natyrës së mrekullueshme ndodhet “Oda e Hasanbeut”, një tjetër sipërmarrje e mbështetur nga AZHBR, në kuadër të zhvillimit të turizmit rural.
“Oda e Hasanbeut” nisi fillimisht si një restorant në Tepelenë, e më pas u kthye në bujtinë në periferi të kryeqytetit, falë mbështetjes së qeverisë përmes AZHBR.
Mes pamjes panoramike të fshatit, aty gjen ambiente çlodhëse dhe argëtimi, për fëmijë dhe të rritur, si edhe mund të shijohen gatimet më të mira dhe autentike shqiptare.
Zhvillimi i sipërmarrjeve agroturistike është shndërruar në një format të suksesshëm të investimeve në sajë të programit IPARD II, të cilat kanë sjellë zhvillim dhe të ardhura të qëndrueshme në zonat rurale.
AZHBR bën të ditur se, vitin e fundit ka një interes të shtuar nga banorët e zonave rurale, të rinj kryesisht, por jo vetëm, për të bërë investime të tilla. Në shumë raste, modelet e agroturizmeve po konkurrojnë fort, duke e shndërruar këtë sektor nga më të rëndësishmit në vend për ndikimin në ekonominë lokale.
Si kombinim perfekt mes turizmit dhe bujqësisë, strategjia e agroturizmit ka rezultuar e suksesshme, duke garantuar treg të sigurt për fermerët e zonave rurale, rritjen e ekonomisë për familjet e angazhuara në punët e brendshme, apo të zinxhirit të furnizimit në këto njësi.


