Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për New York për takime me liderë botërorë dhe organizata ndërkombëtare në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme.
“Presidentja është ftuar së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, që të marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden. Ndërkaq, Zotëria i Parë, gjithashtu është ftuar të marrë pjesë në një pritje të veçantë, të organizuar nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden”, thuhet në njoftim.
“Përgjatë kësaj vizite, Presidentja në takime me homologët e saj do të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ajo poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate. Përveç takimeve, Presidentja do të mbajë diskutime në disa nga universitetet dhe institucionet më prestigjioze në SHBA”, vijon komunikata.
Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA. /Telegrafi/


