Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë të kësaj gjykate për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të MINT, në rastin “Klan Kosova”.
“REFUZOHET si e pabazuar ankesa e të paditurës-Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Komerciale, Dhomat e Shkallës së Parë-Departamenti për Çështje Administrative, KA.nr.315/23 i datës 02.08.2023, VËRTETOHET”, thuhet në vendim.
Ndryshe, më 2 gusht 2023, Gjykata Komerciale ka aprovuar kërkesën e Klan Kosovës, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT), raporton “Betimi për Drejtësi“.
“I. APROVOHET si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve. II. SHTYHET ekzekutimi i Vendimit nr. 4566/01 i datës 28.07.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit nr. 309/11 i datës 14.06.2023 i nxjerrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve në Kosovë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, thuhej në vendim.
Ndaj këtij vendimi, ankesë kishte ushtruar MINT.
Ndryshe, më 30 korrik, Klan Kosova përmes një reagimi tha se MINT nuk po e thotë të vërtetën në rastin e tyre, pasi sipas Klanit, kjo shtëpi mediale ka ndërruar menjëherë dokumentet, në përputhshmëri me kërkesat e ministrisë.


