Në rrugët dhe skenat e artit burimor, për dekada me rradhë, mbizotëroi folklori i pastër i popullit tonë, ku nëpërmjet tij lindi dhe u ngrit një pjedistal i lartë vlerash nga një plejadë e pavdekshme artistësh, emrat e të cilëve janë gdhëndur me gërma të arta në faqet e shekujve që lanë pas.
Aty u skaliten emrat e këngëtarëve, rapsodëve, instrumentistëve, poetëve, valltarëve e artizanëve, mjeshtëria artistike e të cilëve i bëri të pavdekshëm në kulturen shpirtërore të popullit tonë.
E kështu shekujt pasuan njëri-tjetrin, ndërsa kultura u trashëgua në shpirtin e dlirë të genit njerzor tek përshtatej të mbijetojë në harmoni me natyrën, në të cilën e pati falë Zoti, për të qenë njëherësh rob dhe zot i saj.
Kështu, në kapërcyell të moteve folklori, kjo pasuri autentike, u ngjiz në breza si një shpirt pa të cilin nuk frymonte as jeta, sidomos atje në kreshtat bjeshkëve ku njeriu guximtar i lindur në ngrohtësinë e avullit të votrës së dheut, të rreshkur me trungjet e ahut shekullor, të përkundur në djepa druri e të rritur me tamlin e dhisë së stepave, u ngjit majë alpeve për të shprishur retë e qiellit që të merrte rrezet e arta të diellit. Në atë orvatje të busmit ku plaket e përtrihet natyra pas një dimiri të gjatë e të vështirë, të vitit 1950, si një vegim shprese për kullen e gurit të Iber Ucë Mukut me 24 prill, njëherësh me blerimin e pranverës, lindi Jonuz Malush Delaj.
Bekimet e Zotit për këtë malsor të lindur në zemër të Alpeve nën hijen e Forcës së Kelmendit, në Nikç, i ngjante atij të zanave të Jutbinës të derdhur mbi trimin e bjeshkëve, Gjeto Basho Muji. Falë atij bekimi, ky malësor i bjeshkëve të Kelmenit, veç zgjuarsisë dhe mprehtësisë së mendjes, kishte fituar dhuntitë e të kënduarit, i cili qysh në moshën 7 vjeçare, preku skenat e festivaleve kombëtare e ndërkombëtare, duke përçuar me krenari folklorin e pastër të të parëve të tij. Që në krye të herës, u pëlqye nga muzikologët, regjisorët, kolegët e spektatorët, të cilët bashkë me emrin i bashkangjitën atë përemër virtuoz që e personifikon atë si një artist të madh. Jonuz Delaj në këtë pjedistal për qeverinë e asaj kohe u vlersua dy herë nga Kuvendi Popullor duke zënë një vënd nderi si “MJESHTËR” & “RAPSOD”, si bartës i folklorit të pastër popullor, të lindur e trashëguar në shekuj. Talent tij i lindur e shoqëroi qysh në hapat e parë, aty pranë votrës, në prehnin e më të vjetërve të asaj kulle. Rapsodi Jonuz Delaj në botën e artit shquhet si artist i rrallë dhe kantautor i shumë këngëve epike dhe lirike.
Në këngët e tij përjetsohet historia dhe memorizohen shumë ngjarje të vërteta që lidhen me besnikërinë, qëndresën, dhe trimërinë e malësorëve në mbrojtje të dinjitetit, të kullës e të vatanit.
Në secilën prej këtyre këngëve spikatin vargje të thekura në të folmen e malësorëve ku vargu vjen i gërshetuar me fjalë të urta të mirë peshuara në përvojën e jetës, çka e bën madhështor në interpretim. Vokali i tij i përshtatur me tingullin e lavdës bën që ky varg të përjetsohet në këngë e bashkë me të edhe legjenda, historia apo trimëria e kreshnikëve. Rapsodi Jonuz Delaj është ndër të rrallët lahutar që në repertorin e tij dominojnë këngë të autorsisë së tij në të cilat ngjarjet marrin karakter tregues sikurse kënga kushtuar Norës së Kelmenit… “N’maje t’bjeshkëve të Kelmenit / Mblidhen burrat n’log t’kuvenit / Ndër ta kishte edhe burrnesha / O, ishte Nora Sokolesha”.
Vargjet e këngëve të Rapsodit Jonuz Delaj kanë ruajtur tipologjinë e vargut të vjetër të cilat duke u ruajtur origjinalitetin e tyre dhe përcjellë të pa ndryshuara në breza, memorizuan historinë e popullit tonë. Kjo linjë e artit burimor ku folklori vjen i pastër deri në ditët tona është një pasuri më vete, për çka duhet të jemi falenderues ndaj këtyre ikonave të artit popullor të cilët na mundësojnë lidhjet në kohë e në hapsirë me trashëgiminë kulturore e shpirtërore. Në ruajtjen dhe trashëgimin e kësaj pasurie kombëtare në mes të dhjetra e dhjetra artistëve një vënd nderi zë edhe Rapsodi Jonuz Malush Delaj i cili me vargun, me këngën dhe lavden e tij të mësuar nga baba lahutar 90 vjeçar e të trashëguar nga gjyshi i tij 109 vjeçar Iber Ucë Muku, Rapsod dhe Plak i Pleqnive të Kuvendit të Maleve, në gjithë këto dekada karriere i trashëgoi dhe kultivoi në gjininë e folklorit burimor si vlera të jashtëzakonshë me të cilat mburremi sot.
Për lahutarin Jonuz Delaj titulli Rapsod, Mjeshtër i Madh, Mjeshtër i Merituar, Nderi i Kombit apo edhe Qytetar Nderi janë tituj që i gjej të shpërndara mes tingujve të lavdës, të peshës së vargut dhe miljona duartrokitjeve të spektatorëve të cilët më kanë dhënë forcë e frymë për të punuar e kënduar me shpirt. Kudo ku kam shkuar thotë Ai jam munduar të mbaj të shenjtë respektin dhe vlersimin e atëdashësve të këngës, të lavdës e të vargut tim. Kudo e kurdoher Rapsodi Jonuz Delaj ka lënë gjurmë suksese nëpër skena festivalesh duke mirë përfaqsuar Kelmendin, Malësinë, mbarë Kombin e Shqiptarinë
Nga Rita Shkurtaj
Shtator 2023