Një ruse e lindur në Moskë që jeton prej 12 vjetësh në Shqipëri. Elisaveta Biba erdhi në Shqipëri si e ftuar në një dasmë, pa e ditur se do të gjente dashurinë dhe do të krijonte familje. Në një intervistë për “Aldo Morning Show” në Tv Klan ajo rrëfen si duket Shqipëria në sytë e saj përgjatë këtyre viteve.
Elisaveta Biba: Kam ardhur për të krijuar familjen këtu.
Aldo: Para sa vitesh keni ardhur?
Elisaveta Biba: Kam ardhur këtu për dasmën e shoqes që e kam njohur në Moskë dhe në dasmë, te shoqëria e saj takova bashkëshortin tim të ardhshëm.
Aldo: Kryevepër! Para sa vitesh ka ndodhur kjo?
Elisaveta Biba: 12 vite më përpara.
Aldo: Dhe më pas u vendose në Shqipëri?
Elisaveta Biba: Po.
Aldo: Si të është dukur Shqipëria në fillim, nuk po them Tirana, kur ke lëvizur?
Elisaveta Biba: Për mua ka qenë një vend i hapur, isha me sytë e veshët hapur për të mësuar. Prapë ka qenë shumë rrëmujë. Tirana patjtër, por vetë vendi, klima, populli, kultura ishin shumë atraktive sepse ishin shumë ndryshe nga vendi që kam jetuar unë.
Aldo: Vështirësia e parë për Elisavetën ishte gjuha e më pas, forma e komunikimit.
Elisaveta Biba: Gjuha nuk më ka pëlqyer. Ishte shumë ndryshe nga gjuhët që isha rrethuar unë më përpara, plus mënyra si flisni, me emocionet, me zë të lartë më dukej sikur ishin duke debatuar gjithmonë dhe isha vazhdimisht që “po çfarë po ndodh?” dhe bashkëshorti thoshte “asnjë gjë, po diskutojnë a të ulemi këtu apo te kafja tjetër?” Me ulërima. Tani jam mësuar.
Aldo: Si ka ndryshuar mendimi yt nga fillimi dhe deri tani kur tu bënë kaq vite?
Elisaveta Biba: Tani nëse flasim për Tiranën ku jam, tani Tirana u rregullua në shumë gjëra, domethënë si në infrastrukturë, ndoshta edhe shoqëria e Tiranës. Tani nëse flasim për vendet e tjera, populli ndryshon shumë avash. Ka pikat e forta, ka pikat e dobëta.
Aldo: Përveçse bërtasin shumë, ngrenë zërin, çfarë të bën më shumë përshtypje te njerëzit këtu?
Elisaveta Biba: Ata jetojnë momentin sot, ata jetojnë me ata që kanë rreth e rrotull. Mendoj që komuniteti është pikë e fortë dhe e dobët. Komuniteti po flas në marrëdhënie me të afërmit, me punën apo kudo, njerëzit këtu krijojnë lidhje direkt. Unë ngel gjithmonë mbrapa, më pyesin “nga ishte?” Po s’e di, s’e kam pyetur. “Po pse ka ardhur?” Po s’e di, s’e kam pyetur. Domethënë shumë pyetje nuk më vijnë në mendje natyrshëm, për shqiptarët është një gjë e parë, “duhet ta kishe pyetur për këtë, për këtë…” apo “sa e ke rrogën?”, kjo ka qenë një pyetje e rëndë. Edhe një i panjohur më ka pyetur çfarë bëj këtu dhe sa marr. Më fal, unë nuk të njoh fare dhe kjo pyetje më duket shumë pa lidhje.
Aldo: Pra, cila është ajo gjëja shqiptarçe që s’e ke marrë vesh asnjëherë?
Elisaveta Biba: Puna e respektit. Është shumë e komplikuar. Ideja më ka respektuar, s’më ka respektuar, më mori në telefon, s’më mori në telefon, a më ka dashur a s’më… e prishin shumë mendjen për këtë punë, unë i shikoj gjërat shumë më thjesht, në qoftë se ti je me këtë njeri në marrëdhënie, nëse nuk të duhet, më mirë ndahuni, pse vuani aq shumë, aq gjatë dhe kot. Domethënë zgjidh kë do e kë nuk do dhe mos u lodh.
Duke iu rikthyer vështirësisë së gjuhës, Elisaveta tregon si e mësuar dhe sa kohë i është dashur ta përvetësojë.
Elisaveta Biba: Më ka marrë ca kohë të jem e sinqertë. Në një krah, kur kam ardhur kam folur anglisht sepse jam edhe në profesion me gjuhë angleze, jam mësuese dhe isha shumë e lumtur që ka njerëz, rini që flet anglisht. Në krahun tjetër, familja e bashkëshortit dhe brezat e tjerë më kanë shtyrë që “mund ta bësh, mund ta flasësh, mund ta mësosh”. Në fillim më dukej sikur u lodha, të gjithë presin që të flas direkt. Në krahun tjetër, e kuptova, e bëjnë me dashuri, duke më ngacmuar që “do ta bësh, e dimë që do ta bësh”. Por kanë pasur shumë durim. Mendoj se më mori 4 vjet.
Aldo: I kupton të gjitha shprehjet në shqip?
Elisaveta Biba: Jo, vazhdoj të mësoj çdo ditë. Janë pafund./tvklan.al