Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të shtunën se 23 asete të reja, përfshirë “Gurin e Nënës Pashke” e lokalin “Panda” në Pejë, janë shtuar në listën e trashëgimisë kulturore.
Ai ka thënë se kujtimi për vetëflijimin e Nënës Pashke dhe guri që simbolizon aktin e saj do të jenë në përkujdesje shtetërore.
“Përfshirja në listën e trashëgimisë kulturore, në kategorinë ‘shpirtërore’ ishte hap i domosdoshëm drejt zgjidhjes përfundimtare për Gurin përkujtimor të Nënës Pashke. Më të mirin rrëfim për Pashke Krasniqi Markaj deri sot e ka bërë shkrimtari ynë Ag Apolloni në dokuromanin e tij ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’.
Derisa procesi i mbrojtjes së përhershme po vazhdon me dinamikë të shtuar, listës së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme i shtohen edhe 23 asete të reja”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Ai tutje është shprehur se edhe oda e familjes së doktorit Lec Gradica tash e tutje do të mbrohet me ligjet e shtetit të Kosovës.
Siç ka thënë kryeministri, Lec Gradica nuk u ndal së ushtruari profesionin e tij deri në momentin që ra dëshmor për lirinë e Kosovës.
“Oda e familjes së tij në Gradicë të Drenasit ishte shndërruar në spital ushtarak të zonës ku ai i shëronte ushtarët e plagosur të UÇK-së. Kjo shtëpi tash e tutje do të mbrohet me ligjet e shtetit për t’u shndërruar në pikë reference dhe nderimi për doktor Lecin dhe mjekët e tjerë dëshmorë të Kosovës”.
“Më 14 dhjetor 1998 në lokalin “Panda” në Pejë, shërbimet serbe ekzekutuan gjashtë të rinj serbë për të akuzuar rrejshëm UÇK-në si fajtore, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar gjenocidin që po ngjante në Kosovë. Përveç si kujtesë historike, mbrojtja me ligj të shtetit e këtij lokali vjen edhe si alarm dhe thirrje për vigjilencë karshi mendësisë së pandryshuar politike të Serbisë në raport me shqiptarët dhe Kosovën”.
“Xhamia e Sfircës, e ndërtuar në vitin 1890, është objekti më i vjetër në komunën e Kamenicës. Ky simbol i identitetit kulturor e fetar, konsiderohet si një prej monumenteve më të rëndësishme të kësaj ane. Don Mikel Tarabulluzi ka qenë mësuesi i parë shqiptar në Kosovë. Në një ambient ku jetonin shqiptarë dhe kroatë, ai hapi shkollën e parë shqipe dhe shërbeu edhe si prift edhe si mësues”, ka shkruar kreu i ekzekutivit.
Siç ka njoftuar Kurti, afreska të periudhës romake të gjetura në Lokalitetin arkeologjik të Dresnikut në Klinë, shtëpi tradicionale e kulla shqiptare që i kanë rezistuar shekujve, mullinj, shkolla, kisha, janë pjesë e listës së fundit të aseteve që morën statusin e mbrojtjes ligjore. /Telegrafi/


