“Vajza është dhurata më e çmuar. Kush ka vajza botën ka”, ka qenë mesazhi me të cilin kryeministri Albin Kurti ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë.
Të mërkurën është lansuar fushata “Të gëzoheni me fëmijë”, e udhëhequr nga Fondi për popullsi të Kombeve të Bashkuara UNFPA Kosovo në partneritet me IPKO Foundation.
Në ceremoni u tha se fushata ka për qëllim që ta rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me çështjen sensitive të abortit selektiv në Kosovë dhe ndërlidhjen me qasjen e pabarabartë të vajzave në edukim, me qëllim të ndërmarrjes së nismave më efektive për ta adresuar këtë shqetësim.
“I duhet shtëpisë një djalë është një shprehje që ende e dëgjojmë në shoqërinë tonë. Dukuria që prish raportin natyror të lindjeve nuk duhet që të ketë vend më në Kosovë. Vajza jonë është dhurata më e çmuar për mua dhe Ritën. T’i themi jo praktikës dhe preferencës për djalë sepse kush ka vajzën botën ka”, ka thënë kryeministri Albin Kurti në një videomesazh.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se fatkeqësisht në Kosovë ende janë të pranishme preferencat që familjet të kenë djem.
“Ndikimi patriakal në vendimmarrjen e lindjeve, sidomos në nxitjen e lindjeve të djemve tregon se preferencat për djem janë ende fatkeqësisht të pranishme, përkundër gjitha zhvillimeve. Vajzat në vendin tonë mund të përdorin të gjitha shërbimet për të identifikuar gjininë e fëmijës gjatë shtatzënisë dhe ato qasje për ndërprerjen e shtatzënisë nëse ato dëshirojnë. Kuptimi i ndërprerjes së shtatzënisë është se me lindjen e parë njerëzit nuk shqetësohen shumë për gjininë rreth fëmijës, megjithatë prapë në lindjen e dytë dëshirojnë që nëse fëmija e tyre i parë është vajzë, njerëzit do të donin një djalë”, ka thënë Vitia.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është zotuar se qasja në arsim do të jetë e barabartë për të gjithë.
Drejtoresh e UNFA-së, Visare Mujku-Nimani, ka deklaruar se janë të angazhuar për të promovuar të drejta e grave në çdo sferë.


