Me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektbuxhetin për vitin 2024.
Gjatë shqyrtimit të parë të projektbuxhetit për 2024, kryeministri Albin Kurti në seancë plenare tha se në buxhetin e paraparë prej më shumë se 3.3 miliardë euro do të ketë nëntë milionë euro më shumë investime kapitale se në vitin aktual.
Kurti deklaroi se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë i mbrojtjes dhe sigurisë, ku kanë paraparë 370 milionë euro. Ai theksoi se janë planifikuar tre milionë euro për Luginën e Preshevës dhe 742 milionë për komunat e Kosovës.
Në prezantimin e projektbuxhetit, Kurti shtoi se kanë paraparë ndarjen e mbi 90 milionë euro për nënat lehona dhe fëmijët nën 16-vjeç. Shefi i ekzekutivit u shpreh se do të ketë investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore dhe fusha të tjera.
Kryeministri Kurti theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë prioritet sa i përket nevojave të qytetarëve dhe për një ekonomi më të fortë.
Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë bërë me dije se nuk do ta përkrahin projektbuxhetin, pasi sipas tyre, nuk paraqet interesat e qytetarëve të Kosovës.
Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e quajti zvogëlim real të pagave rritjen e koeficientit nga 105 në 110 euro, teksa shprehu shqetësimin për mohimin e pagesave shtesë për rrezikshmëri për Policinë e Kosovës dhe mos ndarjen e asnjë shtese për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tha se është përkeqësuar struktura e buxhetit dhe investimet kapitale kanë rënë në 16 për qind, ndërkohë që ka rritje masive të subvencioneve dhe ulje të investimeve kapitale.


