Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për situatën e sigurisë në vend, ka thënë se anëtarësimi në NATO është zgjidhja.
Ish-kryeministri kosovar ka deklaruar se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, duhet ta angazhojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në patrullime të përbashkëta dhe të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
Sipas tij, të gjitha institucionet e sigurisë duhet të bashkohen për të mos lejuar që situata të dalë jashtë kontrolli.
“Ftesa për Kosovën në NATO, anëtarësimi i menjëhershëm dhe i plotë është zgjidhja. KFOR ta angazhojë FSK-në në patrullime të përbashkëta dhe të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Eulex-in. Të gjitha institucionet e sigurisë të bashkohen për të mos lejuar që situata të dalë jashtë kontrolli, si në aspektin politik, të sigurisë dhe në ekonomi”.
Çështja e sigurisë në Kosovë u ngrit sërish para dy ditësh kur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, alarmoi duke thënë se ka informata që Rusia po synon të nisë luftë të re në Ballkan për ta larguar vëmendjen nga pushtimi i Ukrainës.
“Sot të gjithë po diskutojnë për krizën në Lindjen e Mesme. Por siç kam thënë, nuk është problem i djeshëm, por as nga pardje. Të gjithë e dinë këtë konflikt të vazhdueshëm, por askush nuk dëshiron t’i japë fund. Konflikti në Lindjen e Mesme, prapa saj qëndron Rusia, jemi të sigurt se këtë po e bën me aleatin e saj – Iranin”, tha Zelensky para gazetarëve afrikanë, transmeton Telegrafi
Sipas tij, Rusia është sërish e interesuar në ridrejtimin e ndihmës.


