Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë të shqetësuara siç thonë për rrezikun që i kanoset vendit me draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga diplomatët euro-amerikanë më 21 tetor.
Megjithëse i njëjti nuk është bërë publik ende, në opinion po qarkullon një draft i prezantuar nga ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, për të cilin deputetët e dy partive opozitare thonë se është origjinali. Sipas tyre, aty ka elemente që janë problematike për vendin dhe që krijon një lloj autonomie për serbët në veri.
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thotë për KosovaPress, se qeveritarët duhet të kenë kujdes në këtë draft dhe përmes vërejtjeve të tyre të largohen çështjen shqetësuese për vendin, siç thotë është theksimi në preambulë të rezolutës 1244.
Duhet të jemi të qartë se as Serbia dhe as Kosova nuk mund t’i plotësojë të gjitha kërkesat e veta që ka qoftë në lidhje me Asociacionin, qoftë nesër në vendosjen e kufijve…Ka shqetësime në disa fusha, por me negocimin e këtyre çështjeve veçanërisht me preambulës ajo që përmend rezolutën 1244 për zgjidhje është problematike për neve. Janë edhe disa çështje të tjera që me siguri qeveria dhe ekspertët që janë duke punuar në të dhe i kanë përgatitur vërejtjen dhe i kanë dërguar në Bruksel”, thotë Haliti.
Më kritik karshi ekzekutivit në lidhje me dialogun dhe për Asociacionin, është deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
“Mendoj se jemi në një terr informativ si asnjëherë më parë sa i përket çështjes së draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë etapë por ja që tani po fshehin dhe po tentojnë të kontrabandojnë diçka që është me rëndësi jetike për funksionimin e shtetit të Kosovës dhe sikurse të ishte gjithçka në rregull ai draft do të ishte në duart e deputetëve. Kryeministri çdo herë i ka mashtruar qytetarët për veprimet e veta dhe sidomos parlamentin e ka lënë në terr informativ për shkak të asaj që është i gatshëm të nënshkruaj gjithçka çka i bie në tavolinë dhe ka ardh me një kauzë se Zajednica nuk kalon”, deklaron Lekaj.
“Shqetësimet për (autonomi) janë të individëve të atyre që shpërndajnë drafte. Ne nuk punojmë me shqetësime dhe ne punojmë me analiza. Për më tepër kushtetutshmërinë e draftit të dërguar nga miqtë tanë ndërkombëtar e vërteton Gjykata Kushtetuese, as analistët në studio dhe as politikanët. Janë njerëz që marrin pagë mujore për me vlerësuar kushtetutshmërinë e dokumenteve që iu rezervohen atyre”, tha Bislimi.


