Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, në një intervistë për Ekonomia Online nuk e ka përjashtuar mundësinë që kryeministri Albin Kurti ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, gjatë këtij viti, në përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ia kanë bërë të qartë BE-ja dhe ShBA-ja. Edhe Serbia a i mbajti zgjedhjet më 17 dhjetor, por u desh që marrëveshjet për targat dhe për energjinë t’i përfundojë. Edhe z. Kurti nuk ka amnistim. Mundet me shku në zgjedhje, me kamuflu ose me i ikë përgjegjësisë; zgjedhjet do të mbahen, por obligimet do t’i shkojnë atij. Nëse ai nuk i merr obligimet, obligimet i mbesin Kosovës”, thekson nënkryetari i LDK-së. “LDK-ja në asnjë mënyrë nuk mundet me u bë pjesë e diçkaje që z. Kurti tash e tri vjet ka sharruar politikisht deri në fund të pusit me obligimet që nuk i mbajtur”.
Mospërmbushja e obligimeve ndërkombëtare nga kryeministri, sipas Hazirit, ka bërë që ndërmjetësit ndërkombëtarë të dizajnojnë një draft-statut dhe një marrëveshje të dëmshme, ku përmendet edhe Rezoluta 1244.
“Neni 2 nuk e paragjykon statusin e politik të Kosovës dhe i vetmi kryeministër mos të paragjykojë statusin e Republikës së vetë është ky. Kjo Qeveri ka shkaktuar raporte të tensionuara me BE-në, është në masa ndëshkuese, ka raporte tensionuese me NATO-n. Ju e dini se NATO i ka marrë disa nga kompetencat e sigurisë dhe i ka kthyer mbrapa, pa i pyetur fare. E kanë thirrur presidenten në takim dhe i kanë tregu. Ka raporte të tensionuara me Shtëpinë e Bardhë edhe me Departamentin e Shtetit. Kanë raporte të tensionuara me të gjithë kryeministrat e rajoni, sepse Kurti shkon dhe e mbështetë opozitën atje”.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike thotë se Qeveria Kurti nuk ka merita për liberalizimin e vizave, as për njohjen e pasaportave nga ana e Spanjës, as për marrëveshjen e energjisë. Sipas tij, qe gati tre vjet, kjo Qeveri ka sjellë vetëm degradim.
Në fund të intervistës, Haziri shfaq besimin se në zgjedhjet e ardhshme, LDK-ja e cila mori rezultatin më të keq ndonjëherë më 14 shkurt 2021, do të bëjë “rikthimin e madh” dhe do ta “rikthejë Republikën aty ku e ka vendin”.
“Ne nuk mund të vazhdojmë të jetojmë me këtë imazh të përdhosur, të përbuzur”.


