Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se angazhimi i shqiptarëve të Amerikës për çështjen kombëtare do të vlerësohet ndër breza dhe se kontributi i tyre është e do të mbetet pjesë e historisë.
Haradinaj ka thënë se komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë bartësi dhe shtytësi kryesor i kauzave për të drejtën shqiptare.
Kreu i AAK-së ka vlerësuar kontributin e shqiptarëve të Amerikës për aspiratën për lirinë e për shtetin e Kosovës.
“I kërkova që në rrethanat e tanishme nëpër të cilat po kalon Kosova, të angazhohen edhe më shumë që të jetësojmë dialogun strategjik me Amerikën dhe mbi të gjitha anëtarësimim e Kosovës në NATO. Ndërsa e falënderova Ambasadorin e Shqipërisë në OKB, z. Ferid Hoxha për punën e tij të jashtëzakonshme”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka shtuar se angazhimi i tyre do të vlerësohet ndër breza.
“Ju thashë me bindje të plotë se angazhimi i tyre për çështjen kombëtare do të vlerësohet ndër breza dhe se kontributi i tyre është dhe do të mbetet pjesë e historisë sonë”, ka përfunduar Haradinaj. /Telegrafi/


