Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Republika e Kosovës nuk ka aleate dhe mike më të rëndësishme se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke komentuar deklaratën e ndihmës-sekretarit të Shtetit, James O’Brien, i cili është shprehur dje se nuk do ta trajtojnë Qeverinë e Kosovës si partnere nëse s’trajtohen njëjtë, duke i bërë thirrje ta tërheqin vendimin për dinarin.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm se SHBA-në. Kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e Rregullores së saj. Ne jemi një Republikë demokratike. Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja”, ka thënë Kurti nga Prizreni të mërkurën
Shefi i Qeverisë u shpreh se nuk ka masa ndëshkuese për zbatimin e Rregullores së re të BQK-së, pasi duan të ecin përpara pa incidente.
“Në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e Rregullores, BQK-ja nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese, pra pa ndëshkim dhe pa incidente duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i yni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe për paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”, ka shtuar ai.
Kurti ka theksuar se me Rregulloren e BQK-së duan të legalizojnë dhe formalizojnë çdo transaksion financiar.
Sipas tij, këtë Rregullore nuk e shohin si problem qytetarët serbë, por Beogradi zyrtar.
“Nuk besoj që qytetarët serbë këtë e shohin si problem, por natyrisht Beogradi zyrtar që nuk na e pranon as pavarësinë e as krimet e kryera para 25 vjetëve në Kosovë që morën përmasa të gjenocidit, është ai që sjellë këso alarmimesh para-apokaliptike. Do t’i japim kohë tranzicionit. Si për BQK-në, si për shtetndërtimin tonë demokratik, si për sistemin tonë financiar ne i jemi falënderues SHBA-së që kanë kontribuar përgjatë këtyre 25 vjetëve të Kosovës së çliruar”, ka thënë Kurti.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi nga 1 shkurti, e bën euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë. Kjo ka nxitur reagime nga komuniteti serb që pranon pagesa në dinarë nga Serbia. Ndërkombëtarët, veçanërisht SHBA-ja, i kanë bërë thirrje Qeverisë ta shtyjë vendimin për një periudhë tranzicioni, për të informuar më mirë qytetarët. Por nga Qeveria nuk kanë dhënë shenja do të heqin dorë – megjithëse BQK-ja ka njoftuar se do të ketë afat tre muaj për “edukim dhe informim” të komuniteteve.


