Gjykata Supreme ha hedhur poshtë kërkesën e “Pro & CO Group” Sh.p.k për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të Gjykatës Komerciale, dhomat e shkallës së dytë.
Me anë të këtij vendimi, Supremja i ka hapur rrugë vazhdimit të punimeve në “Rrugën A”.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale kishin aprovuar si të bazuara ankesat e të paditurës Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe palëve të interesuara- Komuna e Prishtinës dhe O.E “Sallahu” sh.p.k, duke lejuar kështu nisjen e punimeve në këtë rrugë.
Pretendimet e kompanisë janë cilësuar si të pabazuara, të paqëndrueshme dhe të pa argumentuara.
“Gjykata Supreme i shqyrtoi edhe pretendimet e tjera të parashtruesit të kërkesës, dhe gjen se të njëjtat janë shqyrtuar nga dhoma e shkallës së dytë e Gjykatës Komerciale, nga ka rezultuar me të drejtë se janë të pabazuara, të paqëndrueshme dhe të pa argumentuara, andaj si të tilla edhe nga Gjykata Supreme refuzohen të pa bazuara dhe jo me ndikim për të vendosur ndryshe në këtë çështje nga ajo e vendosur dhoma e shkallës së dytë, si në aktvendimin e saj, i cili rezulton se është i drejtë, ligjor dhe i arsyetuar mjaftueshëm, bazuar në faktet vendimtare sipas provave dhe fakteve të paraqitura nga palët, ashtu si parashihet në nenin 22 të LKA-së, për aq sa është e domosdoshme të arsyetohet mënyra e vendosjes për masë të përkohshme, pa u prejudikuar mënyra e vendosjes së çështjes kryesore”, thuhet në fund të Aktgjykimit.



