Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar të martën me presidentin francez, Emmanuel Macron, në telefon. Ky i fundit ia ka ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.
Macroni ka theksuar përkushtimin për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka shtuar se mbështet ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe bëri thirrje për zbatim të plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
Në komunikatën publikuar në faqen e Presidencës franceze thuhet se presidenti Macron e ka mirëpritur zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
Megjithatë, në komunikatë thuhet se Macroni nënvizoi rëndësinë që “Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga autoritetet kosovare”.
Macroni ka folur edhe mbi dështimin e votimit në veri të dielën për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë. Ai ka thënë se organizimi i zgjedhjeve të reja sa më shpejt që është e mundur mbetet i domosdoshëm, me pjesëmarrjen e serbëve.


