Qeveria e Kosovës e ka emëruar drejtor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) Bekim Hoxhën, i cili si ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë pati dëmtuar buxhetin për më shumë se 15 mijë euro në një vendim të mëhershëm.
“Zotëri Hoxha ka ushtruar disa pozita të rëndësishme në nivel të institucioneve, në pozita menaxheriale, duke përfshirë edhe dëshmitë e dhëna si ushtrues detyre si drejtor i AUV-it ku ka demonstruar vendosmëri për avancimin e sektorit, digjitalizimin, rritjen e efikasitetit dhe transparencës dhe për të arritur synimet që kemi”, ka thënë Peci.
Por KOHA pati raportuar në vitin 2020 se në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë, Hoxha e ka nënshkruar një kontratë për rinovimin e dy kateve në ndërtesën private, në të cilën është e akomoduar Ministria, pa pasur kontratë për shfrytëzim të njërit prej tyre. Më pas, Ministria ka refuzuar që t’ia paguante mjetet kompanisë që e kishte angazhuar për ta rinovuar atë kat. Kompania i ka kërkuar paratë me procedurë përmbarimi.
Pavarësisht nisjes së hetimeve, pak muaj pas, ministri Faton Peci e ka caktuar Hoxhën për zëvendëskryeshef të Agjencisë së Pyjeve.
Më 2022, në kundërshtim me vendimin e Qeverisë për përdorimin e veturave zyrtare, ministri Peci i pati lëshuar autorizim për një vit Hoxhës për përdorim të veturës, duke u justifikuar se ajo do t’i duhej për mbrojtjen dhe për parandalimin e prerjes së pyjeve. Pas raportimit të KOHËS, ministri e pati ndryshuar këtë vendim.


