Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për të marrë pjesë në Samitin e dytë për Demokraci.
Sipas ftesës, përveç fjalimit që do të mbajë krahas krerëve të shteteve të tjera sipas formatit të vitit të kaluar, Osmani është përzgjedhur edhe në mesin e dhjetë liderëve që do të jenë folës kryesor në seancën plenare, në të cilën siç është bërë e ditur në komunikatë, do të diskutohet për rolin e demokracisë në krijimin e institucioneve stabile.
Më 9 dhjetor 2021, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përfaqësuar Kosovën në edicionin e parë të Samitit për Demokraci, platformë që ka bashkuar vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato. /Telegrafi/


