Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi të martën se Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë “ditën më intensive të sulmeve” brenda territorit të Iranit që nga fillimi i konfliktit.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Pentagon, Hegseth tha se operacionet ushtarake amerikane po intensifikohen dhe se sulmet e kësaj dite do të përfshijnë numrin më të madh të avionëve luftarakë, bombarduesve dhe goditjeve ajrore ndaj objektivave iraniane. “Sot do të jetë përsëri dita jonë më intensive e sulmeve brenda Iranit: më shumë avionë, më shumë bombardues dhe më shumë goditje, me inteligjencë më të përmirësuar se kurrë më parë”, deklaroi ai.
Sipas Pentagonit, ofensiva është pjesë e operacionit ushtarak të nisur në fund të shkurtit kundër infrastrukturës ushtarake të Iranit. Autoritetet amerikane thonë se deri më tani janë goditur mbi 5 mijë objektiva në territorin iranian, përfshirë baza raketore, kapacitete të prodhimit të dronëve dhe mjete detare të marinës iraniane.
Gjatë deklaratës së tij, Hegseth akuzoi gjithashtu regjimin e Iran se po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore dhe se ka përdorur për vite me radhë organizata dhe milici aleate për të sulmuar interesat amerikane në rajon. Ai tha se qëllimi i operacionit është dobësimi i kapaciteteve ushtarake të Teheranit dhe pengimi i zhvillimit të armëve bërthamore.
Nga ana tjetër, zyrtarët amerikanë pretendojnë se sulmet kanë reduktuar ndjeshëm kapacitetin ofensiv të Iranit. Sipas Pentagonit, numri i sulmeve me raketa nga Irani është ulur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, ndërsa infrastruktura ushtarake e vendit ka pësuar dëme të konsiderueshme.
Konflikti mes SHBA-së dhe Iranit ka shkaktuar përshkallëzim të tensioneve në Lindjen e Mesme, me sulme dhe kundërsulme që kanë prekur disa vende të rajonit dhe kanë rritur shqetësimet për stabilitetin dhe tregjet globale të energjisë.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka deklaruar se operacioni ka objektiva të qarta ushtarake dhe nuk synon një konflikt të gjatë, ndërsa zhvillimet në terren mbeten dinamike dhe të paparashikueshme.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


