Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me dakordimin e tij në Bruksel për propozim evropian ka hequr dorë nga njohja me Serbinë. Sipas saj, ky është degradim i plotë i procesit të dialogut.
Çitaku ka deklaruar në dy vjetët e fundit bisedohet vetëm për rinegocim e marrëveshjeve që janë arritur më parë, ndërsa ka shtuar se procesi i dialogut duhet të përfundojë njëherë e mirë.
“Kryeministri ka hequr dorë nga njohja me ketë marrëveshje. Në preambulë thuhet që të dyja palët do të punojnë për paqe pavarësisht që kanë qëndrime të kundërta për çështje të rëndësishme, siç është çështja e statusit. Kështu që, njohjen për momentin nuk e kemi askund, as në qendër as në periferi. Mirëpo, ndoshta ka ndonjë aranzhman tjetër, nuk mundem me fol për një dokument që nuk e kam parë…”.
Ajo tutje është shprehur se e gjithë kjo ka ndodhur për shkak të “sjelljes së papërgjegjshme” të Kurtit.


