Qytetarët e Kosovës jetojnë në një prej mjediseve më të ndotura në rajon. Për kah degradimi i mjedisit jetësor, Kosova është kritikuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë
Por, pozitiv është fakti që vetëdijesimi i qytetarëve për të raportuar për çështje të tilla është vazhdimisht në rritje.
Menaxherja e projekteve në Demokraci Plus, Debora Peci, në një prononcim për Telegrafin tha se për të raportuar për problemet që lidhen me mjedisin, qytetarët po i përdorin gjithnjë e më shumë rrjetet sociale apo platformat e tjera
Peci tutje theksoi se duke u nisur nga kjo, Demokraci Plus ka vendosur që platformën ndreqe.com ta zgjerojë dhe t’u mundësojë qytetarëve që të bëjnë raportime edhe për shkelje mjedisore që ata i shohin në komunitetin e tyre.
Peci shtoi se platformat digjitale apo kanalet online të komunikimit qytetarë-zyrtarë, po tregojnë të jenë një prej formave më atraktive dhe efikase e adresimit të kërkesave të qytetarëve.
E përkundër mungesës të një platforme shtetërore (publike) e cila i regjistron dhe i përcjellë kërkesat qytetare, ajo tha se një numër i lartë i raportimit të problemeve – e sidomos shkeljeve mjedisore, te zyrtarët mbërrijnë përmes platformave online si viber, facebook, whatsapp etj.
Sipas saj, përvoja e Demokraci Plus tregon që aktivizmi qytetar në mbrojtje të mjedisit, apo adresimit të çfarëdo problemi tjetër, rritet kur ka komunikim më të qartë institucion-qytetar.“Bartja e informatave nga zyrtarët te qytetari në kohë reale, bën që veprimet e qytetarëve të jenë më mirë të informuara, si dhe pritshmëritë e tyre të jenë më reale. Në rastin e mbrojtjes të mjedisit, është diçka më e prekshme dhe më e ndjeshme për qytetarët, kështu që edhe koha e reagimit të institucioneve ka ndikim të madh në vazhdimësinë e aktivizmit dhe angazhimit qytetar për mbrojtje të mjedisit, si dhe parandalimit të shkeljeve mjedisore”.
Se rrjetet sociale dhe platformat e tjera dixhitale kanë pasur impakt të jashtëzakonshëm në angazhimin e qytetarëve për të raportuar për çështjet mjedisore thotë edhe njohësi i rrjeteve sociale, Dardan Hasku
Në një prononcim për Telegrafin, ai tha se në këtë mënyrë rritet edhe ndikimi i masës për çështje të tilla.
“Rrjetet sociale, si në të gjithë sektorët dhe aspektet në jetë, edhe në angazhimin e qytetarëve për të raportuar lidhur me çështjet mjedisore, kanë pasur impakt të jashtëzakonshëm. Sot, shumica absolute kanë qasje në rrjetet sociale përmes telefonave të mençur dhe raportojnë rreth dukurive të ndryshme, duke rritur ndikimin e masës lidhur me këto çështje. Kujtojmë fotografitë e dukurive negative, organizimet për protesta, peticionet etj, të gjitha këto do të ishin më të vështira, e në shumë raste të pamundura, pa rrjetet sociale”, u shpreh Hasku.
“Qytetarët tashmë çdo ditë e më shumë po e arrijnë një nivel të vetëdijes për ndikimin që mund ta kenë duke ngritur zërin e tyre në këto platforma, mirëpo sigurisht se mund dhe duhet të bëhet edhe më shumë. Këtu institucionet publike, organizatat e ndryshme si dhe mediat mund ta luajnë rolin e tyre duke i informuar qytetarët për rastet kur aktivizmi i tyre në rrjetet sociale ka arritur të ketë ndikim qoftë pozitiv direkt, qoftë për të parandaluar dukuritë negative”, përfundoi ai.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, për Telegrafin tha se institucionet komunale bëjnë të pamundurën që t’i adresojnë shqetësimet dhe ankesat e qytetarëve që kanë të bëjnë me mjedisin.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi
“Adresimi i kërkesave dhe ankesave të qytetarëve bëhet pothuajse në të gjitha rastet nga institucionet komunale, por edhe në bashkëpunim me mekanizma tjerë si p.sh organet policore. Ndërsa, në shumicën e rasteve komunat iu përgjigjen kërkesave dhe ankesave të qytetarëve në fushën e ambientit, përmes Drejtorive të ndryshme komunale, por me theks nga Drejtoria për Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit”, theksoi Ibrahimi.
“Kjo bëhet tek mekanizma të ndryshëm komunal, por me theks tek Zyra Komunale për Mbrojtjen e Mjedisit apo zyrtarët përgjegjës të kësaj fushe”, u shpreh Ibrahimi.
Ai foli edhe për platformat të cilat i përdorin më shumë zyrtarët komunalë për komunikim me qytetarët.
“Një ndër to është komunikimi përmes webfaqes së komunës, platformave të ndryshme të rrjeteve sociale, pastaj në takimet periodike për çështje të caktuara që Komunat organizojnë me qytetarët, përmes aktiviteteve të përbashkëta mes Komunës dhe OJQ-ve që për target kanë konsultimin me publikun. Një formë e komunikimit për dokumente të dala nga komunat të cilat presin mendimin e qytetarëve para së të shkojnë në Kuvendin e Komunës është edhe Platforma për Konsultime me Publikun”, përfundoi Ibrahimi.



