
Agrumet do të mund të kultivohen më në Veri, akuakultura mund të tranzitojë nga levreku te koca. Incidencat e sëmundjeve po rriten. Reshjet po shkojnë drejt sasive më të ulëta, intervaleve të shkurtra, por intensitetit të lartë. Të gjitha këto janë ndikimet që ndryshimet klimatike do të sjellin në Shqipëri, të cilat në afat të mesëm dhe afat të gjatë do të jenë më të dukshme. Efekti domino ka filluar të ndihet që tani në sektorë si bujqësia, peshkimi, energjia, turizmi, vera. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Gjeoshkencës tregojnë se temperaturat mesatare vjetore në vitin e fundit shënuan rritje +1.8 Gradë Celsius, ndërkohë që sasia vjetore e reshjeve në formë dëbore dhe shiu, në dy dekadat e fundit, ka pësuar rënie prej rreth 20%. Ndryshimet klimatike duket se janë “të pandalshme”, ndaj të gjithëve u duhet të gjejnë mënyrën të përshtaten.
Dimri që po lëmë pas perceptohet gjerësisht si atipik. Ditë të ngrohta me diell në janar që u ngjajnë pranverës apo mungesa e reshjeve masive të borës krijon idenë se e gjithë kjo nuk është fort normale. I njëjti perceptim është vit pas viti edhe te stinët e tjera. Me verën e temperaturave të larta, thatësirave të zgjatura, zjarret e shumtë, reshjeve që bien në mënyrë intensive në një hark kohor të shkurtër, përmbytjet e shumë e shumë tregues të tjerë.
Ky perceptim mbi “kapriçiot” e stinëve nuk është i gabuar dhe mbështetet edhe nga shifrat që jepen zyrtarisht nga institucionet kombëtare, duke përforcuar idenë se ndryshimet klimatike nuk janë më “te dera”, por kanë nisur të manifestojnë dukshëm efektet e tyre.
Institucionet ndërkombëtare kanë rritur vëmendjen ndaj ndryshimeve klimatike, duke u kërkuar vendeve të jenë aktivë dhe vigjilentë për të reaguar dhe për të minimizuar pasojat. Efekti i klimës është ai domino dhe pasojat janë të jashtëzakonshme në sektorë jetikë, duke kërkuar që masat e reagimit apo zbutjes të merren seriozisht.
Po Shqipëria, në çfarë faze është? Sot, vendi ynë ka miratuar një ligj të veçantë “Për ndryshimet klimatike”. Bëhet fjalë për ligjin 155, i datës 17 dhjetor 2020, i cili rendit si qëllime të tij pesë pika.
Së pari, ulja e shkarkimeve të efekteve serrë.
Së dyti, përshpejtimi i përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe zbutja e efekteve të dëmshme.
Së treti, të kontribuojë në përpjekjet globale ndaj ndryshimeve klimatike nëpërmjet plotësimit të detyrimeve të Republikës së Shqipërisë ndaj Konventës.
Së katërti, të krijojë një kuadër gjithëpërfshirës ligjor dhe ndërinstitucional për ndërmarrjen e veprimeve ndaj klimës në nivel kombëtar, në përputhje me legjislacionin e BE-së për ndryshimet klimatike.


