Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka reaguar pas ankesave të qytetarëve për faturat e energjisë elektrike.
Ai ka thënë se gjendja aktuale është rezultat i mosnjohjes së realitetit qytetar në vend.
“Tarifat e energjisë elektrike, herën e fundit, janë rritur nga prilli i këtij viti. Para kësaj, ishin rritur edhe dy herë të tjera. Pra gjithsejtë 3 herë për 3 vjet. Gjendja e tanishme është produkt i mosnjohjes së realitetit qytetar në vend. Siç dhe thoshin vet, ‘qytetarët po shpenzojnë shumë sepse rryma është e lirë’”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai e ka akuzuar Qeverinë për paaftësi.
“Do të gjejnë arsyetime; do të ju mbushin me ankesa, nga privatizimi e deri te luftërat nëpër botë, por e vërteta e vetme është si më poshtë. Paaftësia kushton! Shiheni vet”, ka shkruar Abdixhiku.


