Qeveria e Kosovës pritet që gjatë javës së ardhshme të përfundojnë aktet nënligjore që i hapin rrugë peticionit për shkarkimin e kryetarëve në veri të Kosovës dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja.
Nëpërmjet këtij dokumenti pritet të përcaktohen rregullat se si të organizohet peticioni, që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre.
Por analistë shqiptarë e serbë thonë se peticioni nuk pritet të zgjidh problemin në veri të Kosovës.
Politologu serb nga Mitrovica e Veriut, Ognjen Gogiç, thotë për Zërin e Amerikës se serbët nuk do t’i nënshtrohen peticionit pasi sipas tij ata nuk dëshirojnë të marrin pjesë në çfarëdo zgjedhje pa u përmbushur kërkesat e tyre.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se dokumenti i qeverisë nuk është i mjaftueshëm për të mundësuar zhvillimin e procedurave dhe se bie ndesh me ligjin për Vetëqeverisje lokale. Ai thotë se shkuarja në zgjedhje përmes peticionit do të zvarrisë procesin e zgjedhjeve në tërësi.
“Problematikë është fakti që duhet që për të administruar një proces i tillë në tërësi dhe për të pasur kryetarë të rinj në komunat veriore mund të na duhen të paktën katër deri në gjashtë muaj kohë në rast se ndiqen të gjitha procedurat nominale siç parashihen me udhëzim administrativ dhe pastaj në bazë të normave dhe standardeve ndërkombëtare se brenda çfarë periudhe duhet të organizohet procesi i votimit për largimin e kryetarëve”, tha ai.


