Komisioni për Politikë dhe Demokraci do ta shqyrtojë më 27 mars aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili pritet ta votojë raportin për Kosovën. Nëse merr dy të tretat e votave të këtij Komisioni, raporti i dërgohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. E, kushtet e tjera në rrugën drejt integrimit në Këshillin Evropian të cilat i tha emisari amerikan, Gabriel Escobar, përmenden edhe në raportin e ekspertëve të Këshillit të Evropës
Për zbatimin e vendimit, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka njoftuar të dielën lidhur me shqyrtimin që do t’i bëhet aplikacionit të Kosovës, i deponuar më 12 maj 2022.
Me gjithë pritjet e qeverisë se vendimi për pronat e Manastirit do t’i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, emisari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë vizitës Prishtinë listoi edhe dy kushte të tjera – Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shpronësimet në veri. Këto çështje përmenden edhe në raportin e juristëve të Këshillit të Evropës mbi Përshtatjen e Sistemit Ligjor të Kosovës me standardet e kësaj organizate, i publikuar fundvitin e kaluar.
“Përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë OSBE-në, BE-në, EULEX-in dhe SHBA-në shprehën shqetësime të thella për këto vendime pasi që procedura e ndjekur nuk ishte në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës. Ndër të tjera, vendimet nuk identifikonin, siç e kërkon neni 44 i Kushtetutës, qëllimin publik apo interesin publik që i bën të nevojshme këto shpronësime. Megjithatë, përgjithësisht supozohet se synimi është ndërtimi i stacioneve policore në ato prona. Kjo mënyrë e procedimit nuk është në përputhje me sundimin e ligjit dhe ka gjasa të jetë e tillë që minon edhe më tej besimin ndërmjet komunitetit serb dhe qeverisë së Kosovës. Autoritetet gjithashtu duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha për t’ia komunikuar publikut të gjerë arsyet e shpronësimeve”, shkruan në raportin e ekspertëve.
Duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të Escobarit për kriteret e organizatës ku nuk bënë pjesë ShBA-ja, zyrtarë të lartë të shtetit gjerman i kanë kërkuar emisarit amerikan që të mos përmendë kushte në emër të Këshillit të Evropës.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Bundestagut gjerman, Michael Roth, kërkoi nga SHBA-ja që ta ndalë qasjen e pabalancuar ndaj Kosovës.
Nga ana tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka quajtur lajm të keq anëtarësimin e Kosovës tek ka akuzuar edhe ndërkombëtarët për mashtrim.
“Do t’ua shpjegoj se si na mashtruan disa të ashtuquajtur miq dhe na gënjyen në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. U thamë se çfarë do të ndodhë nëse kjo ndodh, sepse ata mendojnë se kanë të drejtë të zbatojnë marrëveshjen në mënyrë mashtruese. Do të jetë shumë e vështirë për ne, sepse qëllimi i dikujt është që të shtyjë popullin serb sa më larg Kosovës e M. dhe t’u sigurojë legjitimitet e ligjshmëri të plotë veprimeve të atyre që i dëbojnë serbët. Është vetëm një pjesë e asaj që na pret”, ka thënë Vuçiqi.
Që prej dorëzimit të aplikacionit, Vuçiqi dhe vartës të tij kanë lobuar kundër përfshirjes së Kosovës.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022. Më 24 prill 2023, aplikacioni i ishte përcjellë për konsultim sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Si rezultat i kësaj, me propozim të Presidentit, Asambleja Parlamentare caktoi juristët për ta përpiluar raportin për Kosovën.
Ky raport do t’i shërbejë Asamblesë Parlamentare në hartimin e opinionit për Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.
Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave.
Demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligji janë tri vlerat kryesore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.


