Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë që la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ka ardhur një reagim i fortë nga avokatët e tij ndërkombëtarë. Firmat prestigjioze ligjore “Kasowitz LLP” (SHBA) dhe “Mishcon de Reya” (MB) e kanë cilësuar këtë vendim si një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të parimeve themelore të një procesi të rregullt ligjor.
Në një deklaratë të përbashkët për mediat ndërkombëtare dhe vendase, avokatët shprehen se vendimi i Gjykatës së Lartë për të refuzuar shqyrtimin e masave alternative ndaj ndalimit me burg, përbën një shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, konkretisht nenit që garanton lirinë dhe sigurinë e individit dhe të drejtën për një gjykim të drejtë.
“Mbajtja në burg e klientit tonë pa një shqyrtim të drejtë të masave të tjera ligjore, si arresti shtëpiak apo lirimi me garanci, përbën një veprim arbitrar dhe jo proporcional, që bie ndesh me standardet e vendosura nga jurisprudenca ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Firmat Kasowitz LLP, e njohur për përfaqësimin në raste të profilit të lartë në SHBA, dhe Mishcon de Reya, një nga firmat më të spikatura në Londër në çështjet e të drejtave civile dhe komerciale, bënë të ditur se do të ndjekin këtë çështje në instanca ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg.
Avokatët argumentojnë gjithashtu se provat ndaj Veliajt nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar një ndalim të tillë ekstrem, dhe se vendimi është i motivuar politikisht, duke dëmtuar seriozisht imazhin e drejtësisë shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Ky reagim shton tensionin dhe debatet në opinionin publik, ku çështja Veliaj po trajtohet jo vetëm si një proces penal ndaj një zyrtari të lartë lokal, por edhe si një test për pavarësinë dhe profesionalizmin e sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Deklaratat e plota
Daniel Fetterman, firma ligjore Kasowitz LLP: “Mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj – pa akuzë dhe kur ka mundësi për masa më të qarta, proporcionale dhe të arsyeshme alternative ndalimi – është në kundërshtim me parimet e vendosura për një proces të rregullt ligjor, dhe në papajtueshmëri me sundimin e ligjit.”
Ben Brandon, firma ligjore Mishcon de Reya: “Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (“ECHR”) i ndalon burgosjet arbitrare, dhe garanton që arrestimi duhet të jetë një masë e nevojshme, proporcionale dhe e arsyeshme. Ne po presim vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë, por jemi duke marrë në konsideratë të gjitha masat e mundshme ligjore. Ne mbetemi jashtëzakonisht të shqetësuar që mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj bie në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.”
Ndërkohë, strukturat vendore të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe GJKKO, nuk kanë reaguar ende ndaj deklaratës së avokatëve ndërkombëtarë.
Çështja ndaj Erion Veliajt mbetet një nga më të ndjekurat ne vitin e fundit, jo vetëm për shkak të profilit të tij të lartë, por edhe për implikimet që mund të ketë në skenën politike shqiptare dhe në raportet me organizatat ndërkombëtare që monitorojnë sundimin e ligjit në Shqipëri.
Foto nga Google Images
Artikulli i përgatitur nga ACTVUSA


