Tiranë, 27 maj 2025 — Avokati i ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, z. Kujtim Cakrani, ka reaguar publikisht pas përfundimit të hetimeve ndaj klientit të tij, duke i cilësuar akuzat e ngritura nga Prokuroria si “të pabazuara në fakte” dhe “të motivuara politikisht”.
Në një deklaratë për mediat, Cakrani konfirmoi se ndaj Metës janë ngritur tri akuza penale: korrupsion pasiv i funksionarëve të zgjedhur, pastrim i produkteve të veprës penale, dhe fshehje të të ardhurave. Megjithatë, ai insistoi se asnjë prej këtyre akuzave nuk qëndron dhe se provat e paraqitura nuk mbështesin asnjë nga pretendimet e Prokurorisë.
“Bëhet fjalë për një çështje tërësisht të ndërtuar mbi supozime dhe spekulime politike. Klienti im ka qenë dhe mbetet i hapur ndaj drejtësisë, por nuk mund të pranojmë që drejtësia të përdoret si mjet presioni ndaj opozitës,” tha avokati Cakrani.
“Janë tre akuza, korrupsioni pasiv i funksionarëve të zgjedhur, pastrimi i produkteve të veprës penale dhe fshehje të ardhurave. Akuzat nuk qëndrojnë. Ato janë shpjeguar edhe gjatë fazës hetimore, por kur ai është marrë në pyetje. Ai pretendon dhe është e saktë se këto hetime përfunduan pas zgjedhjeve dhe kanë përfunduar në momentin kur në Shqipëri po diskutohet për terrorizimin e zgjedhjeve. Për të hequr vëmendjen nga problematikat e zgjedhjeve prokuroria vendosi të përfundojë hetimet. Kemi të drejtat tona proceduriale, pasi të njihemi me aktet nëse do kemi pretendimet tona dhe nëse ka mangësi në hetime do bëjmë kërkesa jo vetëm për hetime shtese, por pse jo edhe për të pyetur dëshmitare që kanë dijeni për rrethanat e faktit. Shumë persona të tjerë që kanë qenë edhe pjesë e LSI, të cilët duhet të ishin të pandehur dhe jo zoti Meta, sot janë të lirë dhe ushtrojnë funksione publike”, u shpreh avokati.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur pritet që çështja të kalojë në gjykatë, pas muajsh të tërë hetimesh nga institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un dhe njësinë e hetimit financiar. Procesi ka tërhequr vëmendje të gjerë publike dhe ka gjeneruar debat politik, me kundërshtarët e Metës që e shohin hetimin si provë të përfshirjes së tij në skema të dyshimta financiare, ndërsa mbështetësit e tij flasin për një “sulm të mirëorganizuar” ndaj figurës së tij politike.
Ilir Meta, i cili ka mbajtur disa nga postet më të larta shtetërore në Shqipëri, përfshirë atë të Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës, e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në ndonjë veprim të paligjshëm. Në disa raste, ai ka akuzuar drejtpërdrejt qeverinë dhe institucionet e drejtësisë për veprime të orkestruara me prapavijë politike.
Aktualisht mbetet për t’u parë se si do të vijojë procesi në gjykatë dhe nëse Prokuroria do të arrijë të bindë trupën gjykuese mbi akuzat e ngritura. Ndërkohë, pala mbrojtëse pritet të kërkojë pushimin e çështjes për mungesë provash.
Foto nga Google Images


