Këshilli Mbikëqyrësi i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3 për qind.
Guvernatori, Gent Sejko, tha se informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë, në përgjithësi, më i mirë se pritjet, duke nënvizuar se inflacioni vazhdoi trendin rënës gjatë tremujorit të parë, i ndikuar nga rënia e përgjithshme e inflacionit në ambientin botëror, efekti i bazës së lartë krahasuese të një viti më parë dhe nga efektet e para të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare.
“Në këndvështrimin makroekonomik, rënia e inflacionit pasqyroi më së shumti rënien e inflacionit të importuar, e diktuar si nga rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë ashtu edhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit”, tha Sejko.
“Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste vijuan të jenë të larta, në pasqyrim të kërkesës relativisht të lartë për mallra e shërbime, të kushteve të shtrënguara në tregun e punës dhe të rritjes së shpejtë të pagave e të kostove të punës. Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend”, shtoi Sejko.
“Në çdo rast, politika monetare do të sigurojë kushtet e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm, duke u kujdesur në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin e saj në frenimin e aktivitetit ekonomik dhe pasoja të mundshme të padëshirueshme në stabilitetin financiar,” tha Sejko.
Sipas tij, rritja e shpejtë e punësimit dhe e pagave japin sinjale inkurajuese për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen, por ato krijojnë gjithashtu një mjedis të favorshëm për rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste.
Ai nënvizoi edhe njëherë se inflacioni i lartë dhe mbi objektivin e bankës qendrore është i dëmshëm për familjet dhe bizneset, pasi gërryen fuqinë blerëse të të ardhurave të tyre dhe vështirëson planifikimin e konsumit dhe investimeve në të ardhmen.
Përditësimi i parashikimeve të Bankës së Shqipërisë sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet, dhe se inflacioni do të shënojë rënie graduale dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.
Sipas Këshillit Mbikëqyrës, rënia e inflacionit do të pasqyrojë reduktimin e mëtejshëm të tij në tregjet globale dhe normalizimin e qëndrimit të politikës monetare në vend.
“Gjithashtu, këto parashikime sugjerojnë se rritja ekonomike e vendit do të mbetet në territor pozitiv, e mbështetur nga bilancet solide të sektorit privat, perspektiva pozitive e tregut të punës, përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë dhe kushtet ende akomoduese të financimit.”
“Ky normalizim do të krijojë një balancë më të mirë midis kërkesës dhe ofertës, do të mbështesë stabilitetin e tregjeve financiare, si dhe do të ndihmojë në kontrollin e pritjeve të agjentëve ekonomikë për inflacionin,” tha Guvernatori
Sipas tij, rritja ekonomike e vendit pritet të vijojë të jetë në territor pozitiv. Ritmi i rritjes pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë vitit 2023 dhe t’i kthehet niveleve historike në afatin e mesëm e të gjatë.
Ky parashikim faktorizon shëndetin e mirë financiar të sektorit privat dhe atij bankar të ekonomisë shqiptare, perspektivën pozitive të tregut të punës, përmirësimin e besimit të familjeve dhe bizneseve, si dhe praninë e një ambienti financiar ende akomodues. /Telegrafi/


