Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë akuza të forta pas mbledhjes së Këshillit të Imunitetit në lidhje me çështjen që përfshin zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi tha se sipas informacioneve të paraqitura nga SPAK, situata penale ndaj Ballukut është rënduar ndjeshëm krahasuar me fazën fillestare të hetimeve. Ai tha se, nëse në momentin e kërkesës për masa shtrënguese në GJKKO rreziku i dënimit shkonte deri në 10 vite burg, tashmë – nëse provohen akuzat – ajo mund të përballet me një dënim deri në 35 vite heqje lirie.
Bardhi akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se kishte urdhëruar pesë anëtarët socialistë të Këshillit që, sipas tij, të bëheshin “mburojë politike” për Ballukun. “Asnjë surprizë,” u shpreh ai, duke shtuar se mazhoranca po përpiqet të pengojë një hetim të plotë dhe të paanshëm.
Sipas Bardhit, prokurorët kanë paraqitur prova tronditëse përpara Këshillit, duke pretenduar se dëshmitarë në çështje janë kërcënuar me jetë nga persona të lidhur me krimin, të cilët ai i quajti “të fortë”. Ai tha se prokuroria ka rezervuar të drejtën për të mos bërë publike detaje të mëtejshme për shkak të hetimeve në vijim.
Në deklaratën e tij, Bardhi shtoi se, përveç kërcënimeve fizike, është përdorur edhe presion institucional. Sipas tij, disa dëshmitarë janë kërcënuar me largim nga puna nëse do të dëshmonin kundër Ballukut, ndërsa në raste të tjera, pasi presioni nuk kishte funksionuar, atyre u ishin ofruar para.
Deri në këtë moment, nuk ka një reagim zyrtar nga Balluku lidhur me këto akuza të reja. Çështja pritet të vijojë në institucionet përkatëse, ndërsa debati politik mes mazhorancës dhe opozitës është ashpërsuar ndjeshëm.
Ja nje pjese e deklarates se tij:
“Asnjë surprizë, Rama kishte urdhëruar 5 anëtarët e tij që të bëheshin mburojë politike për të korruptuarën Balluku. Ajo që konfirmoi SPAK, është që situata penale ndaj Ballukut është rënduar së tepërmi krahasuar me masat e para që gjykata ka dhënë ndaj saj. Masa që në këtë moment të hetimit, nuk mbrojnë dot hetimin e paanshëm dhe të plotë nga prokuroria. Në momentin që ndaj Ballukut është kërkuar marrja e masave shtrënguese dhe ndaluese në GJKKO, ajo rrezikonte një dënim që shkonte deri në 10 vite, sot që flasim nëse provohen të akuzat, Balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Kjo tregon që jemi në situatë të rënduar.
Prokurorët në një dëshmi tronditëse, i kanë vendosur në dispozicion këshillit provat se si Balluku përmes të fortëve që ata po hetojnë, nëse bëhet fjalë për persona të krimit dhe rezervuan të drejtën për të mos dhënë detaje. Kanë kërcënuar me jetë dëshmitarë në çështjen Balluku. Dhe forma e dytë, përmes zyrtarëve të lartë publik, që së pari duke kërcënuar dëshmitarët se do t’i hiqnin nga puna ata që dëshmonin kundër Ballukut. Dhe pasi kishin dështuar me kërcënimin u kishin ofruar para“, u shpreh Bardhi.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


