BDI është e gatshme që VMRO-DPMNE-së t’ia japë edhe postin e kryeministrit në 100-ditëshin e fundit të qeverisë, nëse Mickoski e kërkon këtë si kusht për ndryshimet kushtetuese. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani në “Click plus” tha se heqin dorë nga çfarëdo marrëveshje vetëm që të votohen ndryshimet.
Qeveria është shumë më e madhe se një pozitë e kryeministrit. Ne tani po bëjmë kompromis për kushtetutën, nuk do të lejojmë asnjë alibi. Nëse Mickoski thotë se kërkon edhe kryeministrin deri në zgjedhje, edhe kryeministrin ia japim. Ndryshimet kushtetuese janë aq jetike, nuk e di në çfarë mënyrë tua shpjegoj njerëzve se çfarë shansi po lëshojmë”.- deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Po deputeti i VMRO-DPMNE-së Dragan Kovaçki tha se BDI po shkon në opozitë dhe nuk është në gjendje të vendosë kushte.
“Sa i përket ofertës së Bujar Osmanit se ia lëshojnë vendin e kryeministrit shqiptar VMRO-DPMNE-së, përgjigja është se kjo është dëshmia më e qartë se shefi i vërtetë i qeverisë është BDI dhe jo LSD me Kovaçevskin. E dyta, BDI shkon në opozitë dhe nuk është në gjendje të vendosë kushte. Fuqia e vetme që jep dhe merr pushtet nuk është Osmani, nuk është as BDI, por populli i Maqedonisë”- deklaroi Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.
Kryeministri shqiptar ishte kryefjala e fushatës së BDI-së në zgjedhjet e fundit parlamentare. Madje atë kohë kryeministri kishte edhe emër Naser Zyberi i cili improvizonte qeveri të udhëhequr nga ai. Pas marrëveshjes Zaev-Ahmeti u dakorduan që BDI të ketë kryeministër shqiptar vetëm 3 muajt e fundit të Qeverisë.


