
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar nga një konferencë për shtyp se të hënën do të nisin protestat kundër qeverisë.
Berisha tha se para Kryeministrisë do të ngrihet një “parlament”, duke risjellë në kujtesë çadrën e Lulzim Bashës para zgjedhjeve të vitit 2017, e cila qëndroi për javë të tëra përpara godinës së Kryeministrisë.
Ende nuk dihet sesi do të funksionojë kjo protestë, por Berisha theksoi se në të do të marrin pjesë si qytetarët, ashtu edhe parlamentarët e opozitës.
“Dita e hënë do të jetë e fillimit të parlamentit para Kryeministrisë të qytetarëve dhe parlamentarëve. PD ndërmerr tani një fillim të ri, një analizë të plotë të gjendjes në vend, të situatës dhe të zgjedhjeve. Ne ecim me bindjen më të thellë se ndaj diktaturës autoritare të Edi Ramës, narkoshtetit të tij, ka vetëm një rrugë: protestë, protestë dhe vetëm protestë,” – u shpreh Berisha.
Sa i përket protestës kombëtare, Berisha theksoi se skenari do të përcaktohet dhe ajo do të thirret në një moment të dytë. Ai sqaroi se fillimi do të jetë me një parlament-protestë para Kryeministrisë.
“Do përcaktohet skenari për protestën kombëtare, ajo do të thirret në momentin e duhur. Fillimi është ky, me këtë parlament-protestë para Kryeministrisë. Më pas do të punohet për thirrjen e një proteste të përgjithshme, skenari i së cilës do të përcaktohet,” – tha Berisha.


