Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Kosova nuk është në fazën kur negocion me Serbinë, pasi sipas tij, nuk është e nevojshme të mbahen takime në Bruksel për ta bindur atë që ta nënshkruajë marrëveshjen bazike.
Në intervistën dhënë “Konfrontit” të KTV-së të mërkurën, Bislimi ka thënë se Serbia i ka dërguar letër Bashkimit Evropian, ku ka thënë se nuk ka asnjë marrëveshje me Kosovën dhe rrjedhimisht s’ka obligime për zbatim.
Ai ka thënë se letra e presidentit serb për BE-në nënkupton kërcënim të hapur me sulm.
“Nuk jemi në fazën kur negociojmë me Serbinë, jemi në fazën kur duhet ta zbatojmë marrëveshjen bazike, marrëveshja bazike është hap i rëndësishëm në rrugën drejt normalizimit dhe si e tillë duhet të merret me seriozitet. Ne kemi probleme që Serbia me shkrim ka dërguar letër në Bashkimin Evropian ku thotë se nuk kemi marrëveshje me Kosovën, rrjedhimisht nuk kemi obligime për zbatim, nuk do të lejojmë asnjëherë që Kosova të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara, nuk do të lejojmë që Kosova të anëtarësohet në organizata të ndërlidhura me Kombet e Bashkuara dhe nuk e njohim integritetin territorial të Kosovës, që nënkupton kërcënim të hapur me sulm”, është shprehur ai.
Bislimi ka shtuar se Vuçiqi i ka bërë ftesë ndërkombëtarëve që ta detyrojnë ta nënshkruajë marrëveshjen, pasi ndryshe nuk mund të ketë respektim të saj.
“Nuk kemi nevojë të shkojmë në Bruksel ta bindim Serbinë që marrëveshja duhet të nënshkruhet. Kemi deklaratë të z.Vuçiq që thotë se Serbia i respekton të gjitha marrëveshjet e saj që i nënshkruan. Kjo është ftesë për ndërkombëtarët që ta detyrojnë që të nënshkruajë. Ai po thotë se nëse ju dëshironi që unë ta zbatojë marrëveshjen me Kosovën, më bindni ta nënshkruajë atë marrëveshje sepse i respektoj dhe zbatoj vetëm marrëveshjet që i nënshkruaj vetë”, ka thënë ai.


