
Në fshatin Dhuvjan të bashkisë Dropull u çel sot sezoni turistik.
Në aktivitetin e organizuar nga bashkia Dropull, në kuadër të hapjes së sezonit turistik, ishte i pranishëm edhe prefekti i qarkut Gjirokastër, Odise Kote, kryetari i bashkisë Dropull, Dhimitraq Toli, banorë, etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kote u shpreh se “pasuritë natyrore e kulturore të bashkisë Dropull janë të shumta. Zona e Dropullit po kthehet si një ndër atraksionet më tërheqëse të qarkut Gjirokastër me një numër të konsiderueshëm në rritje vizitorësh vit pas viti. Kjo kërkon pa dyshim rritjen e kapaciteteve pritëse, akomoduese dhe përmirësimin e shërbimeve të ofruara”.
Ky aktivitet, i cili po kthehet në një traditë të përvitshme me qëllim promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore e natyrore të bashkisë Dropull, u shoqërua nga një sërë veprimtarish artistike.
Në aktivitet u ekspozuan fotografi ndër vite, u zhvillua panairi i kulinarisë me gatime tradicionale të zonës, si dhe u shfaqën koncerte me valle dhe këngë polifonike të performuara nga grupi polifonik i grave të Selosë, Dropull.


