Teksa Europa vështron me shqetësim përdorimin e fondeve dhe kërkon llogari për korrupsionin, keqmenaxhimin dhe mungesën e transparencës në qeverisje, Shqipëria duket se ka gjetur një tjetër mënyrë për të prodhuar lajme pozitive: dekoratat ndërkombëtare. Sot në Kiev, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i dorëzoi Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, Urdhrin e Princeshës Olga, Klasi i Parë — një nder i lartë simbolik, që vjen në një kohë kur simbolika duket se ka zënë vendin e rezultateve konkrete.
Pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama u nderua me medaljen më të lartë të një vendi mik, që mban emrin e themeluesit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Zayed. Vetë Rama e përshkroi këtë vlerësim si “respektin dhe vlerësimin më të madh për një kryeministër shqiptar”, duke e marrë “përulësisht, plot me krenari për Shqipërinë”. Dhe padyshim, krenaria është e nevojshme — sidomos kur brenda vendit, qytetet përmbyten pas çdo shiu, kanalet kulluese mbeten të bllokuara, fondet për infrastrukturë zhduken rrugës dhe tenderat publikë vazhdojnë të jenë më të famshëm për fituesit e tyre se për punët që realizojnë.
Ndërsa Brukseli ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si përdoren fondet dhe paralajmëron se korrupsioni mbetet një nga pengesat kryesore për integrimin, realiteti në terren flet për rrugë që shemben, për projekte që ekzistojnë vetëm në letra dhe për përmbytje që kthehen në “fenomene natyrore” sa herë bie shi. Por mesa duket, këto janë detaje të vogla përballë rëndësisë madhore të një medaljeje të re në qafë apo një fotografie zyrtare me buzëqeshje diplomatike.
Në fund të fundit, në Shqipërinë e sotme, mund të mungojnë kanalet kulluese, por jo dekoratat; mund të mbytet vendi nga keqmenaxhimi, por imazhi ndërkombëtar noton mbi ujë. Sepse, siç duket, përpara reformave reale, llogaridhënies dhe mirëqeverisjes, është shumë më e rëndësishme që Shqipëria të shkëlqejë — të paktën në fotografi.
Foto nga Google Images
Artikulli i përgatitur nga ACTVUSA


