Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se s’ka kaluar procesi për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore, për shkak se dalja në këto zgjedhje ishte e pakët. Ai ka njoftuar se në Leposaviq kanë votuar 124 votues nga rreth 13.000 qytetarë me të drejtë vote apo 0.91 për qind, në Zubin-Potok 18 votues nga rreth 6.000 me të drejtë vote, në Zveçan s’ka votuar askush e në Mitrovicë të Veriut gjithsej 111 vota.
You can skip this ad in 2
Advertisement
Një numër i vogël i qytetarëve në komunat veriore shfrytëzoi të dielën mundësinë për të votuar pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve.
Qendrat e votimit në katër komunat janë hapur nga ora 7 e mëngjesit.
Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkotim të këtij votimi.
Kryetarët shqiptarë të komunave në veri i morën mandatet në prill të vitit të shkuar nëpërmjet zgjedhjeve që po ashtu janë bojkotuar nga serbët, me thirrjen nga Lista Serbe.
Për t’i shkarkuar kryetarët duhet votuar 50 për qind plus një votues, që procesi të rezultojë i suksesshëm dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.
Erden Atiq është kryetar i Mitrovicës së Veriut, Ilir Peci i Zveçanit, Lulzim Hetemi i Leposaviqit dhe Izmir Zeqiri i Zubin-Potokut.


