Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po i kërkohet që mos të ngutet për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Dy ditë para takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, ku do të diskutohet për draft-statutin e Asociacionit, Kurti porositet që mos të bëjë gabime në hapa për Asociacionit, derisa Serbia po e shkel vazhdimisht marrëveshjen e Ohrit.
Megjithatë, opozita në Kosovë apelon ndaj kreut qeveritar që çfarëdo draft-statuti për Asociacionin fillimisht të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Mirëpo, në partinë në pushtet shprehen të vendosur se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe që nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Megjithatë, ai shpreh shqetësim se në bazë të aneksit për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, pika shtatë ku flet për vetëmeneaxhim të komunitetit serb, nuk i referohet fare Gjykatës Kushtetuese.
“Tash çdo gjë që bëhet në Bruksel, është derivat i marrëveshjes së Ohrit. Për neve si LDK, marrëveshja e Ohrit, ka gjëra të cilat kanë qenë të papranueshme, sidomos pika e shtatë ku flet për vetëmenaxhimin, ndërkohë në tërë këtë dokument nuk i referohet fare Gjykatës Kushtetuese. Filtri i vetëm është Gjykata Kushtetuese, nuk ka filtër tjetër, prandaj duhet të dihet kjo, nuk ka mundësi që të implementohet asgjë tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Prandaj, ne kemi ngritur shqetësimin tonë se marrëveshja e Ohrit, si e tillë nuk duhet të kalojë se po ndërton një rend paralel kushtetues në Kosovë. Tash nëse kemi ardh në këtë fazë, detyrimi për të është që kjo të përfundojë në Kushtetuese si draft, si dokument. Në momentin që ka një pëlqim apriori prej dy palëve pa pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese, unë mendoj se pasojat për Kosovën do të jenë shumë të mëdha”, thekson deputeti Selmanaj për kp.
Ajo thekson se pajtueshmëria për Asociacionin vetëm në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2015, garancia e ish-përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe qëndrimi i përfaqësuesve amerikan, Chollet dhe Escobar se çka është dhe çka nuk është Asociacioni, janë bazë e mirë për hartim të një statuti për Asociacionin.
Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq më 2 maj në Bruksel. Bashkimi Evropian ka publikuar agjendën, ku fillimisht do të bëhet nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur si pikë e parë, e cila do të pasohet me diskutimet për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.


